Foto: Koha

Ish-guvernatori i BQK-së implikon Hashim Thaçin në manipulime financiare, AAK kërkon hetim

10 Tetor 2016 - 21:05      

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës shpreh shqetësimin e saj, pas bërjes publike të disa deklaratave për përfshirjen e disa eksponentëve të PDK-së, duke përfshirë edhe ish kreun e saj, Hashim Thaçin, në manipulime financiare përmes sistemit bankar.

AAK kërkon hetim të menjëhershëm të kësaj çështjeje, dhe transparencë para opinionit publik.

“Prokuroria e shtetit, duhet t’i trajtojë me urgjencë deklaratat e ish-guvernatorit, që e implikojnë Hashim Thaçin në manipulime financiare”, thuhet në reagimin e AAK-së.

“Njëkohësisht, deklaratat e Hashim Thaçit, për hetimin e vrasjeve dhe të krimeve të bëra në Kosovë, qoftë gjatë, qoftë pas luftës në Kosovë, i konsiderojmë deklarata të vonuara dhe hipokrizi të tij. Vet zoti Thaçi, që prej vitit 1999, ka qenë personi me mandatin më të gjatë qeverisës në Kosovë, dhe ai këto çështje ka mundur t'i kishte iniciuar shumë kohë më parë”, theksohet më tej në reagimin e AAK-së.

AAK inkurajon organet e drejtësisë që t’i hyjnë me themel “zbardhjes së të gjitha vrasjeve në Kosovë, pavarësisht përkatësisë etnike dhe politike, por edhe krimeve të tjera, të cilat e kanë dëmtuar qytetarin dhe shtetin e Kosovës”.

Ndërkaq, analisti i çështjeve politike dhe ekonomike, Lumir Abdixhiku, ka kërkuar nga Prokuroria e Shtetit që të merr masa për investimet e 75 milionë eurove, para këto të Trustit, e të cilat siç thotë Abdixhiku janë përdorur për përfitime të klanit ‘Pronto’ në vetëm një transaksion.

Abdixhiku thotë se miliona të tjera të buxhetit janë shfrytëzuar për skema kriminale jashtë, përderisa thekson se kreu i urdhrit për këto transaksione, tash është president.

“Këto dëshmi, janë bërë nga hiç më pak se ish-Guvernatori i Kosovës; mbajtës i një ndër pozitave më të larta shtetërore – llogaridhënës i secilës para në Kosovë”, shkruan ndër tjerash Abdixhiku.

Kujtojmë se deklaratat e ish-Guvernatorit të BQK-së, Hashim Rexhepi, për implikimet financiare të Hashim Thaçit janë publikuar sot në portalin “Gazeta Fjala”, e cila ka paralajmëruar se do të sjellë një seri të shkrimeve për ndërhyrjet në vendimet financiare të shtetit nga njerëzit e Partisë Demokratike të Kosovës, që nga presidenti aktual Hashim Thaçi, e deri tek kryetari i Skenderajt, Sami Lushtaku, i dënuar për krime lufte dhe ish-komandanti i përgjithshëm i UÇK-së, Azem Syla.

comments powered by Disqus

038 249 105     [email protected]    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

Ec me kohën...