Kotzias i shkruan Hahnit: Çështja çame s’është pjesë e agjendës greko-shqiptare

10 Tetor 2016 - 12:40      

Deklaratat e Komisionerit të Zgjerimit, Johannes Hahn, lidhur me çështjen e Çamërisë, duket se mbajnë ende të “inatosur” ministrin e Jashtëm grek, Nikos Kotzias.

Në një letër të hapur dërguar komisionerit Hahn mbrëmjen e së dielës, Nikos Kotzias tërheq vëmendjen se qasja prej komisionerit Hahn dhe futja e çështjeve inekzistente, aksidentalisht ose enkas në agjendë, është në kundërshtim me funksionimin e komisionit.

“Dialogu me palën shqiptare është pjesë e politikës së integrimit dhe afrimit të Shqipërisë me një vend anëtar të Bashkimit Europian. Ai është pjesë e agjendës sonë dhe inkurajohet prej nesh. Dialogu synon gjithashtu forcimin e marrëdhënieve mes dy vendeve tona”, citon tch të ketë thënë Kotzias.

“Shfrytëzoj rastin të përsëris edhe njëherë pozicionin tonë të vazhdueshëm lidhur me këtë çështje. Për Greqinë nuk ekziston çështje çame, e si rrjedhojë, nuk ka pasur dhe nuk do të ketë kurrë një çështje të tillë në agjendën greko-shqiptare”, shprehet më tej në letër Kotzias.

Kërkoj prej komisionit, i cili u pozicionua për një çështje të tillë në një mënyrë kaq sipërfaqësore, domethënë pa u konsultuar dhe pa hetuar lidhur me këtë çështje, të vetëpërmbahet, aq më tepër kur bëhet fjalë për një çështje për të cilën pozicioni ynë ka qenë i vazhdueshëm dhe publik, si për komisionerin Hahn, ashtu edhe për shërbimin e politikës së komisionit.

Në vazhdim të toneve të tij të larta, Nikos Kotzias paralajmëron komisionin se, nëse adopton dhe inkurajon politikat e atyre që këmbëngulin në ekzistencën e një çështjeje që nuk ekziston, kjo do të ishte e barabartë me një lexim revizionist të historisë europiane. Kjo do të përbëjë “karburant” për lëvizjet irredentiste në të gjithë Europën dhe do të nxirrte në pah çështje, të cilat janë mbyllur përgjithmonë me përfundimin e Luftës së Dytë Botërore.

Zoti Kotzias fton komisionerin Hahn të mos vërë në raportin e komisionit asnjë referim lidhur me këtë çështje, në të kundërt, kjo do të dëmtojë seriozisht marrëdhëniet mes Greqisë dhe komisionit.

Por ministri i Jashtëm grek fton edhe Shqipërinë të qëndrojë në nivelin e një vendi kandidat për anëtarësim në BE. Shqipëria - thotë Kotzias, - duhet të mbetet e përqendruar në reformën integruese europiane. Pra, e stabilizuar dhe e kompletuar, dhe e fokusuar në implementimin e 5 prioriteteve të konsideruara jetike për fillimin e negociatave me BE-në. 

comments powered by Disqus

038 249 105     [email protected]    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

Ec me kohën...