Veriu i egër

10 Tetor 2016 - 07:27      

Flamuj të Serbisë gjithandej, vetura pa targa e shoferë pa leje dhe një kufi që mund të kalohet pa kontroll – kjo është përvoja e një rrugëtimi të shpejtë prej Kosovës drejt Serbisë, përmes veriut.

Derisa në Bruksel flitet për normalizim të marrëdhënieve Kosovë - Serbi, ndërsa në Prishtinë dialogu me Beogradin thuhet se do sjellë integrimin e minoritetit serb në shtetin e pavarur të Kosovës, pamja që e sheh kushdo që vendos të udhëtojë në rrugën magjistrale e cila shpie në drejtimin Zveçan – Leposaviq - Jarinje është e një vendi që vazhdon të duket shumë më shumë pjesë e Serbisë se sa e Kosovës, shkruan sot Koha Ditore.

Veriu i Kosovës - i cili në diskursin politik të përditshmërisë përkufizon katër komunat veriore të populluara me shumicë serbe - që nga fundi i luftës më 1999 nuk ka qenë nën kontroll nga autoritetet e Kosovës, as vendore as ndërkombëtare.

Pavarësimi i Kosovës, më 17 shkurt 2008, e ka forcuar ndarjen e kësaj pjese të vendit, ku shteti i Serbisë, i cili vazhdon të refuzojë njohjen e shtetësisë kosovare, ka vendosur kontrollin e plotë politik, shoqëror e ekonomik.

Që nga paslufta, gjithçka në veri të lumit Ibër – që tashmë është simboli i ndarjes etnike të Mitrovicës, qytetit më të madh të këtij rajoni – është vendosur dhe vendoset nga autoritetet në Beograd, qoftë drejtpërdrejt qoftë përmes të emëruarve të vet në Kosovë.

Përpjekjet e bëra gjatë viteve për të ndryshuar situatën në veri të Kosovës, për ta afruar këtë rajon më shumë me Prishtinën zyrtare, nuk duket se po japin rezultatet e dëshiruara, dhe një gjë e tillë duket të jetë më se e qartë me situatën e re të krijuar pas vendimit të Kuvendit të Kosovës për ndryshimin e statusit të ndërmarrjes “Trepça”, e cila asetet dhe punën e saj i ka të shtrira në dy anët e ndarjes etnike në veri. (Reportazhin e plotë nga veriu i Kosovës mund ta lexoni në numrin e sotëm të Kohës Ditore)

Gazetën Koha Ditore mund ta lexoni edhe online. Këtu mund të gjeni sqarimin se si mund të abonoheni.

comments powered by Disqus

038 249 105     [email protected]    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

Ec me kohën...