Menaxhmenti i anës veriore të Trepçës deklarohet për ligjin

8 Tetor 2016 - 15:45      

Çdo vendim rreth statusit ligjor të Trepçës pa marrëveshje edhe me serbët e konsiderojmë si të pavlerë dhe të parealizueshme.

Me këtë vendim është dërguar porosia më e keqe e mundshme për palën serbe, thjeshtë se ata nuk ekzistojnë. Përkundër kësaj, do të provojmë që të vazhdojmë me punë dhe prodhim në këtë fabrikë deri tek dalja nga kjo situatë e vështirë.

Kështu u tha mes tjerash gjatë një konference për media të mbajtur nga menaxhmenti i shkritores “Trepça” në veri, ku ka marrë pjesë edhe zëvendësdrejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Dushan Kozarev.

Drejtori i Trepçës në veri, Jovan Dimkiq, tha se do të bëjë gjithçka që është e mundur që puna e deritashme në këtë kombinat të mos dështojë.

“Si menaxhment dhe sindikatë me siguri që do të bëjmë gjithçka që është e mundur që puna jonë shumëvjeçare të mos dështojë pa asnjë arsye dhe pa ndonjë përgjegjësi nga ana jonë. Megjithatë do të përpiqemi që mos të ndalojmë me forcat tona të rregullta. Forca jonë nuk është në qëndrimet dhe argumentet politike, por forca jonë është fuqi ekonomike. Me këtë riorganizim komplet modeli ynë i tanishëm i funksionimit po shkatërrohet. Menaxhmenti dhe sindikata jonë nuk janë të gatshme për një shkatërrim të tillë. Prandaj ky ligj është i paqëndrueshëm për ne”, ka thënë Dimkiq, përcjell Kosovapress.

Në anën tjetër, Dushan Kozarev, zëvendësdrejtor i Zyrës për Kosovën pranë Qeverisë së Serbisë, ka potencuar se prezenca e tij sot këtu dëshmon qartë mbështetjen e Qeverisë së Serbisë ndaj popullatës serbe në Kosovë.

Sipas tij, Ligji i miratuar për Trepçën ka për synim të sulmojë pasurinë e Serbisë dhe ndryshimin e strukturës etnike në këto hapësira.

“Prezenca ime sot këtu është një tregues i qartë që Qeveria e Serbisë do të vazhdojë të jetë pranë popullit të saj në Kosovë dhe me kombinatin ‘Trepça’, me të punësuarit këtu dhe udhëheqësinë e saj. Qëndrimi zyrtar i Beogradit është se qëndrimet e tilla të njëanshme çfarë ka ndërmarrë Prishtina në këtë rast, nuk çojnë kah zgjidhja, por vetëm nga komplikimi i situatës dhe krijimi i problemeve të reja. E vetmja rrugë e drejtë dhe e zgjidhjes mund të jetë paqja dhe dialogu. Ky ligj ka për synim sulmin e pasurisë të Serbisë dhe ndryshimin e strukturës etnike në këto hapësira. Qeveria serbe e konsideron Trepçën si pasuri të Republikës së Serbisë dhe bënë thirrje qytetarëve të Kosovës, punëtorëve të Trepçës, qytetarëve lojalë të Republikës së Serbisë në këto hapësira, se nuk duhet të brengosen rreth gjetjes së një zgjidhje të qetë”, theksoi Kozarev.

comments powered by Disqus

038 249 105     [email protected]    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

Ec me kohën...