“Këshilli i Veriut” kërkon lirimin e Nehat Thaçit

8 Tetor 2016 - 11:52      

Përfaqësuesit e lagjeve të banuara me shqiptarë në veri të Mitrovicës, të cilët veprojnë në kuadër të organizatës ‘Këshilli i Veriut’, kanë shprehur shqetësimin e tyre në lidhje me arrestimin e drejtorit të Policisë për rajonin e Mitrovicës, Nehat Thaçi, që ka ndodhur ditë më parë në Serbi.

Ata gjatë një konference për media të mbajtur sot afër urës së Ibrit, kanë kërkuar nga institucionet vendore dhe faktori ndërkombëtar që të merren seriozisht me fatin e drejtorit të policisë.

Nazmi Ismajli, kryetar i “Këshillit të Veriut”, ka kërkuar lirimin e menjëhershëm nga burgu të drejtorit Thaçi, për të cilin tha se po mbahet padrejtësisht.

“Në emër të ‘Këshillit të Veriut’ kërkojmë lirimin e drejtorit regjional Nehat Thaçi, që po mbahet padrejtësisht në burg. Njëherësh kërkojmë dhe bëjmë thirrje institucioneve vendore që ai njeri të lirohet sa më shpejt nga burgu. Jemi të vetëdijshëm që ai ka qenë drejtor i jugut, por ai njeri sa ka qenë përpara drejtor i tërë regjionit, ka dhënë kontribut të suksesshëm edhe në veri”, ka thënë Ismajli.

Edhe Vehbi Beqiri, përfaqësues i ‘Lagjes së boshnjakëve’, ka kërkuar lirimin e pakusht të Thaçit, përcjell ksp.

Ai ka apeluar tek kryenegociatorja Edita Tahiri që të merret më seriozisht me këtë rast, në të kundërtën të japë dorëheqje.

Sipas tij, dorëheqje ishte dashur të japin edhe ministri i Punëve të Brendshme Skënder Hyseni, si dhe drejtori i përgjithshëm i policisë, Shpend Maxhuni.

“Ne, ‘Këshilli i Veriut’ kërkojmë lirim të pakusht të drejtorit të policisë së Mitrovicës, Nehat Thaçi, i cili është kidnapuar nga forcat fashiste të Serbisë dhe po mbahet padrejtësisht në kazamatet serbe. E ftojmë Edita Tahirin që të merret seriozisht me lirimin e tij ndryshe le të japë dorëheqje. Dorëheqje ishte dashur me dhënë edhe Shpend Maxhuni, Skënder Hyseni. Ne qytetarët e veriut habitemi me neglizhencën e komandantëve në jug dhe gjithandej, qysh nuk marrin iniciativë që të paktën të dalin në protestë...”, tha Beqiri.

Në qytetin e Mitrovicës pati protesta edhe gjatë ditëve të kaluara, me ç’rast punëtorët e Administratës komunale, si dhe përfaqësues të shoqërisë civile, patën kërkuar lirimin e Nehat Thaçit.

Ndryshe, eprori i lartë i Policisë së Kosovës, Nehat Thaçi, u arrestua më 27 shtator në hyrje të Serbisë nga pika kufitare “Dheu i Bardhë”, pas një urdhri të lëshuar nga Gjykata e Lartë në Nish të Serbisë, nën akuza për terrorizëm.

comments powered by Disqus

038 249 105     [email protected]    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

Ec me kohën...