Çka ndodh me Trepçën pas miratimit të Ligjit për të

8 Tetor 2016 - 10:09      

Ligji i miratuar në orët e para të së shtunës së 8 tetorit në Kuvendin e Kosovës, do të hyjë menjëherë në fuqi dhe i shpëton njësitë themelore të Trepçës nga likuidimi që e priste në muajin e ardhshëm.

Me të u ndërrohet statusi vetëm tri njësive kryesore biznesore të “Trepçës”: Minierave me Flotacion Trepça - Stan Tërg (Fi 690/89); Minierave me Flotacion Kishnicë dhe Artanë (Fi 349/88), dhe; Minierave me Flotacion Kopaonik - Leposaviç (Fi 804/89). Kjo, ani se “Trepça” përbehet nga disa miniera, flotacione, metalurgjia dhe industria kimike, shkruan sot Koha Ditore.

Është një konglomerat i përbërë nga 27 njësi, prej të cilave 20 kategorizohen si jo kyç, ngaqë nuk lidhen direkt me prodhime tjera, ndërsa 6 prej tyre kategorizohen si kyç dhe janë të përfshira direkt në gërmime të xeheve, prodhimtari dhe procedim.

Ndërkohë, kujtojmë se dje në fjalën e tij me të cilën ka arsyetuar Ligjin para deputetëve të Kuvendit të Kosovës, kryeministri Isa Mustafa ka thënë se “në mbështetje të nenit 65, pika 1 e Kushtetutës, si dhe duke marr parasysh Ligjin Nr. 05/L-009 për Ndryshimin dhe Plotësimin e Ligjit për Ndërmarrjet Publike, i cili përcakton se organizimi dhe strukturimi i Ndërmarrjes Trepça do të rregullohet me Ligj të veçantë, me qëllim të krijimit të infrastrukturës ligjore e cila mundëson zhvillim të qëndrueshëm, operim të kapaciteteve, rritje të vlerës së aseteve, avancimin tekniko teknologjik, që janë jetike për zhvillimin e Kosovës dhe për mirëqenien sociale të punëtorëve, prandaj edhe në interes të përgjithshëm publik”.

Mustafa kishte thënë se ligji synon të hapë të ardhmen për Trepçën e jo ta kthejmë të kaluarën e Trepçës.
“Për përgatitjen e këtij ligji, janë shfrytëzuar përvoja nga vendet dhe raste të ndryshme, për të gjetur një zgjidhje e cila ndihmon zhvillimin ekonomik, respekton kriteret e ekonomisë së tregut dhe mbron interesat e punonjësve, përkatësisht të minatorëve të Trepçës. Ligji përcakton qartë se resurset minerare janë pronë e Republikës së Kosovës, prandaj me këtë ligj, prona e Trepçës është dhe mbetet pronë e Kosovës. Ndërkaq, shfrytëzimi i resurseve minerale bëhet në bazë të licencës për hulumtim dhe zhvillim të lëshuar në përputhje me ligjet në fuqi”, ka thënë Mustafa.

Trepça, sipas këtij ligji, do të organizohet si shoqëri aksionare, në të cilën aksionar kryesorë do të jetë Qeveria me 80% të aksioneve dhe 20% do të jenë aksione të punonjësve të Trepçës.
“Mbi këtë bazë përcaktohet e drejta në qeverisje dhe në ndarjen e dividendit ndërmjet aksionarëve, proporcionalisht me pjesëmarrjen e tyre në asete të Trepçës. Fjala është për asetet mbitokësore, jo në rezervat minerale. Organizimi i tillë nxitë një frymë konkurruese për të rritë efiçiencën në punë. Është kjo një zgjidhje e cila ka treguar rezultate në vendet tjera dhe e cila, si risi, meriton të aplikohet edhe në rastin tonë”, ka thënë Mustafa, përcjell Koha.net.

Çështje tjetër që meriton të nënvizohet, sipas Mustafës, është se Trepça do të jetë një korporatë unike, me bilanc të konsoliduar, por njësitë biznesore do të kenë pavarësinë e tyre në të ardhura dhe shpenzime, prandaj edhe në identifikimin e rezultatit financiar, i cili nuk mund të bartet nga një njësi në tjetrën, dhe se punëtorët do të korrin rezultatet e tyre, sipas punës që e bëjnë në njësitë biznesore, përfshirë edhe shpërndarjen e dividendit.
“Njësitë biznesore të Trepçës, sipas këtij projektligji janë: Minierat me Flotacion Trepça - Stan Tërg, Minierat me Flotacion Kishnicë dhe Artanë dhe Minierat me Flotacion Kopaonik - Leposaviq. Ligji lenë mundësi të hapura, që pas studimit të fizibilitetit, të themelohen njësitë tjera afariste të Trepçës, siç janë Metalurgjia e plumbit, e zinkut, industria kimike, por edhe njësi të tjera, për të cilat vlerësohet se ka llogari ekonomike si dhe hap mundësi optimale për tërheqjen e kapitalit privat, qoftë përmes partneritetit publik privat, investimeve direkte, investimeve të përbashkëta apo shitjes së aksioneve”.

Projektligji siguron një kujdesje ligjore dhe sipas praktikave ndërkombëtare për mjedisin dhe siguron që 20 për qind nga renta minerare të alokohet për komunitetin në lokacionet e komunave ku ndodhen njësitë biznesore, që destinohet për mbrojtje të mjedisit, infrastrukturë, sport, shëndetësi dhe arsim.

Asetet e tjera të Trepçës, të cilat nuk trajtohen me këtë ligj, do të trajtohen sipas rekomandimeve të studimit të fizibilitetit.

Mustafa ka thënë gjithashtu se transformimi i Trepçës sipas këtij Ligji, është në interes të të gjithëve, të zhvillimit ekonomik të vendit, është në interes të komunitetit në përgjithësi në vendet ku do të operojë Trepça, përcjell Koha.net.

“Ligji ka valorizuar të gjitha kriteret ekonomike dhe kriteret tjera ambientale, ka karakter inkluziv dhe hap perspektivë për ndërlidhje të fuqishme ekonomike, si faktor i rëndësishëm i jetës së përbashkët”.

comments powered by Disqus

038 249 105     [email protected]    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

Ec me kohën...