Kuçi: CEFTA është marrëveshja më e mirë që i ka ndodhur Ballkanit

6 Tetor 2016 - 14:30      

Shkup, 6 tetor – Në organizim të Odës Ekonomike të Maqedonisë (OEM) me përkrahje të projektit për partneritet CEFTA-DIHK, ku janë të përfshirë odat ekonomike të vendeve nënshkruese të CEFTA-s (Marrëveshja e Tregtisë së Lirë e Evropës Qendrore) dhe Unionit për oda industriale gjermane (DIHK), në Shkup u mbajt konferencë rajonale me titull “Thjeshtësimi dhe harmonizimi i procedurave doganore në rajon”, raporton AA.

Qëllimi i konferencës është të japë fotografi reale të funksionimit të procedurave doganore në rajon nga aspekti i uniformimit dhe funksionalitetit, përfshirë mundësitë për lidhje të tërësishme elektronike të sistemeve, me theks të veçantë në funksionimin e aplikacionit e-dogana.

Marrëveshja CEFTA-2006 është marrëveshje gjithëpërfshirëse e tregtisë së lirë, e cila ka për qëllim liberalizimin e plotë të tregut në rajon si dhe trajtimin e barrierave të ndryshme jotatimore për tregtinë.

Ministri i Ekonomisë së Maqedonisë, Driton Kuçi, deklaroi se marrëveshja e CEFTA-s është marrëveshje më e mirë që i ka ndodhur rajonit të Ballkanit, pasi siç tha ai, përshpejton integrimin e rajonit në Bashkimin Evropian (BE).

“Prandaj nga doganat e Maqedonisë kërkova hapjen e terminaleve doganore në vendkalimet në pikat kufitare Jazhincë të Tetovës dhe Bllatë të Dibrës, si kërkesë e kamotshme nga Oda Ekonomike e Maqedonisë Veri-Perëndimore (OEMVP), nga bizneset e suksesshme që gravitojnë në zonën e lirë ekonomike në Tetovë”, deklaroi Kuçi.

Ministri Kuçi shtoi se edhe në të ardhmen do të vazhdojë të kërkojë nga institucionet kompetente të respektojnë deri në fund marrëveshjen e CEFTA-s.

Përfaqësues të odave ekonomike të vendeve fqinje të Maqedonisë, të pranishëm në konferencë, shprehën pakënaqësi në lidhje me bashkëpunimin ndërkufitar.

Në lidhje me këtë, drejtoresha e çështjeve të pronësisë intelektuale pranë Odës së Tregtisë dhe Industrisë së Shqipërisë, Albana Laknori shpreson se në të ardhmen do të përmirësohet biznesi mes Maqedonisë dhe Shqipërisë. Ajo tha se marrëveshja e CEFTA-s tani për tani zbatohet pak dhe biznesi pak di për këtë marrëveshje.

“Edhe pse odat tregtare të Maqedonisë dhe Shqipërië kanë një bashkëpunim shumë të mirë, ne vazhdojmë të bëjmë trajnime dhe takime që ta ndërgjegjësojmë biznesin, që doganat respektive të të dyja vendeve të zbatojnë marrëveshjen dhe të mos i ngarkojnë bizneset me tarifa shtesë. Unë mendoj se do të kemi përmirësim mes klimës së biznesit mes të dy vendeve”, tha Laknori.

comments powered by Disqus

038 249 105     [email protected]    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

Ec me kohën...