BB vazhdon mbështetjen për projekte në bujqësinë e Kosovës

5 Tetor 2016 - 18:30      

Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Memli Krasniqi, takoi sot një delegacion të Bankës Botërore të drejtuar nga udhëheqësja e Projektit për Bujqësi dhe Zhvillim Rural të Bankës Botërore në Kosovë, Meeta Seghal, me të cilën kanë biseduar për fazat e ardhshme të këtij projekti, me konkretisht në sferat ku do të orientohet mbështetja konkrete financiare.

Sipas njoftimit për media, Krasniqi prezantoi të arriturat e deritanishme në këtë sektor nga investimet e qeverisë.

Ai tha se programi i sivjetshëm prej 46 milionë eurove do të kontribuojë në rritjen e prodhimit dhe cilësisë së produkteve vendore. Ministri shtoi se në vitin e ardhshëm do të rritet mbështetja, jo vetëm financiare por edhe do të zgjerohet në forma të tjera, në veçanti në edukimin e fermerëve dhe në arritjen e standardeve evropiane të cilësisë së produkteve bujqësore.

Me prioritet, tha ministri Krasniqi, do të punohet në realizimin e një studimi të fizibilitetit për ujitjen e tokave bujqësore në Kosovë dhe më pas hartimin dhe realizimin e një projekti që do të siguronte mjaftueshëm ujë për ujitjen e tokave bujqësore.

Temë bosht e diskutimit ishte financimi shtesë nga ana e Bankës Botërore për Projektin për Bujqësi dhe Zhvillim Rural në Kosovë, që përfundon vitin e ardhshëm. Të dy palët u pajtuan që ekziston nevoja për vazhdimin e projektit duke u fokusuar në komponentë që sjellin zhvillim dhe vende të reja pune.

Nga ana e saj, udhëheqësja e Projektit te BB-së për bujqësi në Kosovë, Meeta Seghal vlerësoi bashkëpunimin dhe rezultatet e deritanishme në bujqësi. Ajo premtoi se Banka Botërore është e interesuar të mbështesë edhe më tutje bujqësinë në Kosovë, si një prej sektorëve më të rëndësishëm për zhvillimin ekonomik të vendit dhe hapjen e vendeve të reja të punës.

comments powered by Disqus

038 249 105     [email protected]    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

Ec me kohën...