Prezantohet studimi i fizibilitetit për vazhdimin e autostradës “Ibrahim Rugova”

5 Tetor 2016 - 14:44      

Ministria e Infrastrukturës prezantoi të arriturat dhe të gjeturat gjithëpërfshirëse të studimit të fizibilitetit për vazhdimin e Rrugës 7, autostradës “Ibrahim Rugova” në segmentin Prishtinë-Merdar.

Në fjalën hyrëse, ministri i Infrastrukturës, Lutfi Zharku, theksoi se sot po bëhet prezantimi i parë i një rruge të rëndësisë së posaçme për ne, e që është vazhdimi i segmentit Besi-Merdar të autostradës “Ibrahim Rugova”.

Rëndësia e kësaj rruge, sipas Zharkut, është se me përfundimin e këtij segmenti do të bëhet i mundur shfrytëzimi më i madh i autostradës aktuale “Ibrahim Rugova”.

“Kjo pjesë e autostradës do të vazhdojë edhe në Serbi, Merdar-Nish. Kompletimi i autostradës deri në Nish do të lidhë të gjithë Evropën Juglindore, e në veçanti Evropën Lindore prej Bullgarisë, Rumanisë, Serbisë dhe deri në Shqipëri, në detin Adriatik. Në vizitën tonë me presidentin Thaçi në Tiranë është theksuar dhe është vlerësuar rëndësia e kësaj pjese të rrugës, për përfundimin sa më të shpejtë të së cilës kemi marrë përkrahje të plotë”, ka thënë mes tjerash Zharku.

Ai ka falënderuar Bashkimin Evropian për përkrahjen me grantet e tyre për përfundimin e disa projekteve dhe, natyrisht, dy partnerët kryesorë në financimin e projekteve infrastrukturore, Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim dhe Bankën Investive Evropiane.

Ministri Zharku tha se BERZH dhe BIE po na ndihmojnë në financimin për rehabilitimin e linjës hekurudhore 10, Leshak-Hani i Elezit, me një hua prej rreth 40 milionë eurosh.

“Në anën tjetër kemi grantin nga Bashkimi Evropian prej 80 milionë eurosh për përfundimin e rehabilitimit të linjës hekurudhore 10. Përpos kësaj, ju e dini se ne po vazhdojmë procedurat dhe besojmë se deri në fund të vitit të ardhshëm do ta nënshkruajmë marrëveshjen për rrugën Kijevë-Pejë, një rrugë plotësisht e re, me ndihmën e Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim dhe Bankës Investive Evropiane. Kjo rrugë do të ketë një ndikim jashtëzakonisht të madh në shkarkimin e komunikacionit nga rruga aktuale, që do të ndikojë në zvogëlimin e numrit të aksidenteve, rritjen e sigurisë dhe kursimin e kohës”, shtoi Zharku.

I pari i MI-së tha se pret që gjatë vitit të ardhshëm të fillohet edhe me autostradën Prishtinë-Gjilan, një pjesë të së cilës tha se presin që do do të realizohet me ndihmën e partnerëve.

“Më lejoni që të falënderoj ekipin që ka punuar në studimin e fizibilitetit. Jam shumë i kënaqur që studimi i fizibilitetit është pozitiv, me një normë të kthimit që vlerësohet në 16% e që siguron kthim të mjeteve të kësaj rruge dhe të investimeve tona”, tha në fund ministri Zharku.

Ky studimi i fizibilitetit është financuar nga Bashkimi Evropian. 

comments powered by Disqus

038 249 105     [email protected]    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

Ec me kohën...