Bajrami mori pjesë në shënimin e Ditës Ndërkombëtare të Mësuesit

5 Tetor 2016 - 13:26      

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Arsim Bajrami, ka marrë pjesë në konferencën “Duke çmuar mësuesit, përmirësojmë statusin e tyre”, e cila është organizuar nga SBASHK-u për nder të Ditës Ndërkombëtare të Mësuesit.

Në emër të Qeverisë së Kosovës dhe të Ministrisë së Arsimit, Bajrami uroi të gjithë mësuesit e Kosovës për këtë ditë, të cilën e vlerësoi si një ngjarje shumë të rëndësishme edhe për vetëdijesimin e përgjithshëm për rolin që ka sektori i edukimit, në mënyrë të veçantë mësuesit, në rendet bashkëkohore.

“Nuk ka dyshim që përkujdesja ndaj mësimdhënësve është përkujdesje ndaj familjeve, ndaj shoqërisë dhe ndaj shtetit, sepse nuk ka gjë më të shenjtë për një shtet se sa të investojë në sektorin e arsimit dhe te mësimdhënësit, të cilët kanë një rol shumëdimensional: të edukojnë rininë, të mundësojnë ndërtimin e personalitetit dhe të shënojnë përparime në sektorin e edukimit”, tha Bajrami.

Ministri Bajrami përmendi edhe kontributin e madh të themeluesve të SBASHK-ut dhe të mësimdhënësve në kohë të vështira për vendin. “Pikërisht sektori i edukimit ishte sektori më i rëndësishëm ku ne treguam gatishmërinë e mbijetesës”.

Duke folur për kujdesin që duhet të kenë institucionet dhe shoqëria në përgjithësi ndaj mësimdhënësve, ministri Bajrami tha se është duke u punuar në Kontratën e re Kolektive, ndërsa tha se angazhimi kryesor i këtyre ditëve do të jetë finalizimi i Ligjit për mësimdhënësit e viteve të 90-ta.

Ndërsa, kryetari i Komisionit Parlamentar për Arsim, Nait Hasani, theksoi se është dashur një kohë e gjatë, mund dhe sakrificë për të ardhur deri në ditën e sotme që të kemi një arsim të mirë.

“Por, ende kemi nevojë të punojmë të gjithë më shumë në ngritjen e cilësisë, sepse vetëm kështu mund të kemi një shtet më të zhvilluar”, ka thënë Hasani.

Kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jashari ka përshëndetur të gjithë mësimdhënësit me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Mësuesit dhe ka falënderuar të gjithë mësimdhënësit që edhe në vitet më të vështira dhanë krejt çka mundën për mbajtjen gjallë të arsimit shqip. 

comments powered by Disqus

038 249 105     [email protected]    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

Ec me kohën...