Foto: Ilustrim

Gjykatat shkelin Kodin e Drejtësisë për të Mitur – shqiptojnë masa të dyfishta për të mitur

5 Tetor 2016 - 11:07      

Koalicioni i OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve – KOMF, i cili përfaqëson njëzet e dy organizata joqeveritare, dhe Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës (QKRMT), në kuadër të mandatit të tyre në promovimin dhe mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve në Kosovë, respektivisht, vlerësimit të zbatimit të masave dhe sanksioneve penale ndaj të miturve të vendosur në Qendrën Korrektuese në Lipjan, kanë konstatuar shkelje në zbatimin e dispozitave ligjore në procedurat gjyqësore që lidhen me aplikimin e sanksioneve penale – dënimit me burgim apo shqiptimit të masave edukative të dyfishta për të miturit në Kosovë.

KOMF dhe QKRMT kanë identifikuar 3 raste gjatë vitit 2016, ndërkaq 6 raste të tilla janë evidentuar në vitin 2015 nga 48 të mitur sa janë në Qendrën Korrektuese në Lipjan. Kjo praktikë ka zgjatur që nga hyrja në fuqi e Kodit të Drejtësisë për të Mitur.

“Sipas Kodit të Drejtësisë për të Mitur, derisa të miturit i është shqiptuar masë edukative apo burgim për të mitur, aktvendimet eventuale për vepra të tjera penale që janë ngritur para ose pas shqiptimit të masës edukative duhet të përfshihen në një aktvendim të vetëm – unik ndaj të miturit”, thuhet në këtë reagim.

Sipas këtij reagimi, aplikimi i masave të dyfishta bie ndesh me dispozitat e KDM dhe ndikon në uljen e besimit tek të miturit për sistemin e drejtësisë dhe sistemin korrektues duke e parë atë si pengesë e jo ndihmë në risocializimin dhe re-integrimin e tyre.

“Të miturit të cilët kanë marrë edhe një masë pa përfunduar masa në ekzekutim, kanë tendencë të fillojnë shfaqjen e sjelljeve jo të mira si pasojë e rënies së vullnetit për sjellje të mira derisa janë nën masën apo dënimin aktual. Kjo praktikë u pengon atyre në rikthimin në jetën normale duke ua zgjatur qëndrimin në QKL”, theksohet më tej në reagim.

Mbi këtë bazë, KOMF dhe QKRMT duke shfrytëzuar mjetin joformal – intervenimin e palës së tretë në interes të gjykatës (amicus curiae), i është drejtuar Gjykatës Supreme, Këshillit Gjyqësor dhe Këshillit Prokurorial me kërkesë që në bazë të autoritetit kushtetues dhe ligjor të ndërpritet praktika që ndaj të miturve të shqiptohet masë edukative e re ose dënim i ri me burgim derisa i mituri është në vuajtje të një mase apo dënimi. 

comments powered by Disqus

038 249 105     [email protected]    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

Ec me kohën...