Porti i Durrësit të promovohet si urë lidhëse midis Shqipërisë, Maqedonisë dhe Kosovës

5 Tetor 2016 - 08:51      

Ministrja e Zhvillimit Ekonomik në Shqipëri, Milva Ekonomi priti në takim Ministrin për Tërheqjen e Investimeve të Huaja të Maqedonisë, Arlind Zeqiri, i shoqëruar nga Zëvendësministri i Financave, Gëzim Beadini, së bashku me Zëvendësministrin e Transportit dhe Lidhjeve, Faton Pollozhani.

Ekonomi në fillim të bashkëbisedimit evidentoi numrin e lartë të shkëmbimit të vizitave zyrtare midis përfaqësuesve të dy vendeve tona.

Angazhimet e përbashkëta, tha ministrja Ekonomi për zhvillimin e rajonit, duke renditur në plan të parë çështjet lidhur me konektivitetin në Rajon, si rëndësinë e investimeve që vijnë nga diaspora marrin një rëndësi të veçantë.

“Shqipëria dhe Maqedonia bashkëpunojnë në kuadër të zbatimit të marrëveshjes CEFTA dhe nga viti 2011 tregtia midis dy vendeve tona është liberalizuar dhe operohet pa tarifa doganore. Bizneset dhe investimeve maqedonase në Shqipëri, janë 325 ndërmarrje ose me kapital të përbashkët”, tha Ekonomi.

Duke u ndalur tek shkëmbimet tregtare, ministrja shqiptare theksoi se ato po ndjekin tendencë në rritje. Sipas saj, gjatë vitit 2015 ato arritën vlerën prej 108.62 milionë euro ose me një rritje prej 11 % më shumë se në vitin 2014. Ajo tha se eksportet në veçanti u rritën në masën 22 % dhe importet u rritën 4.2%.

Ministrja Ekonomi, së bashku me ministrin Zeqiri dhe delegacionin që e shoqëronte, diskutuan për rritjen e bashkëpunimit ekonomik të investimeve, shkëmbimeve tregtare, turizmit, në industri dhe sektorë të ndryshëm të ekonomisë.

Gjatë këtij takimi, Ekonomi e njohu Zeqirin me përgatitjet e Samitit të Diasporës në 13 nëntor në Tiranë, në të cilin MZHETTS do të prezantojë tre panele. Zeqiri e vlerësoi këtë iniciativë të qeverisë shqiptare dhe u shpreh i gatshëm për të kontribuar.

Për bashkëpunimin rajonal në tregti, ministrja Ekonomi tha se “korridori i 8-të, është i rëndësishëm në funksion të realizimit me sukses të projekteve të përbashkëta mes dy vendeve”.

“Ne si vende anëtarë të CEFTA-s duhet ta përdorim këtë instrument në konsolidimin e tregut rajonal përfshi zgjidhjen e çdo lloj barriere tregtare”, tha ajo.

Ministri Arlind Zeqiri shprehu mendimin se Porti i Durrësit duhet të promovohet akoma edhe më shumë, si një tjetër urë lidhëse midis Shqipërisë, Maqedonisë dhe Kosovës.

Ekonomi gjithashtu e vuri theksin në rëndësinë e hartimit dhe zbatimit të projekteve të përbashkëta në nivel rajonal, si projekti i “Alpeve”, i mbështetur nga GIZ, me mjaft interes për vendet tona (Shqipëri, Maqedoni dhe Kosovë) si dhe roli i UNESCO-s për zhvillimin e turizmit në liqenin e Pogradecit.

Ministrja shqiptare tha se ishin 223.000 qytetarë nga Maqedonia të cilët zgjodhën për të pushuar në Shqipëri gjatë muajve të verës.

Të dy ministrat ndanë të njëjtën qasje se rajonit i nevojitet një platformë ekonomike, si një i tërë dhe transformimi i rajonit në një treg të përbashkët për investime.

Vlerësuan se pjesëmarrja më aktive e diasporës në investime të drejtpërdrejta në Shqipëri, Maqedoni dhe Kosovë duhet konsideruar me vëmendje maksimale.

Gjatë takimit u ra dakord për organizimin e aktiviteteve ekonomike midis dy vendeve, si dhe zhvillimin e projekteve të ndërsjella për një prezantim të përbashkët në tregjet e vendeve të treta. 

comments powered by Disqus

038 249 105     [email protected]    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

Ec me kohën...