Thaçi shpallet qytetar nderi i Shkodrës

4 Tetor 2016 - 16:26      

Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, është shpallur sot qytetar nderi i Bashkisë së Shkodrës, njofton kumtesa presidenciale, transmeton Koha.net.

Me propozimin e të parës së Shkodrës, Voltana Ademi, ky titull iu nda sot presidentit Thaçi në një ceremoni solemne para këshillit bashkiak.

Thaçi u shpreh mirënjohës për ndarjen e këtij titulli nga Bashkia e Shkodrës.

“Ky titull mund të konsiderohet si një tjetër dëshmi e lidhjes së ngushtë shpirtërore që ekziston mes Shkodrës dhe Kosovës. Një lidhje e fortë tradicionale që e ka zanafillën tek rrugët e lashta tregtare mes Shkodrës, Pejës dhe Gjakovës. Një lidhje që është ujitur me gjakun e derdhur nga Isa Boletini me shokë, të cilët erdhën këtu në mbrojtje të Shkodrës dhe që u dëshmua më së miri edhe me dyert e panumërta të shtëpive bujare shkodrane të hapura për refugjatët kosovarë gjatë luftës”, ka thënë Thaçi.
Ai ka thënë se kontributi i Shkodrës për botën shqiptare është i pallogaritshëm.
“Kjo trevë e juaja është karakterizuar me atdhedashurinë dhe trimërinë. Nuk është aspak rastësi që Komiteti ‘Mbrojtja Kombëtare e Kosovës’ u vendos pikërisht në Shkodër, duke u mbledhur në një ndërtesë disa dhjetëra metra larg prej këtu”, ka thënë ai.
Me kulturën e pasur dhe hapjen ndaj perëndimit, ai ka thënë se Shkodra e ka mbajtur të pashuar lidhjen shpirtërore me Evropën.

Presidenti Thaçi ka thënë se titullin “Qytetar nderi i Shkodrës” e pranon me përulësi dhe mirënjohje të madhe.

“Faleminderit për nderin e bërë dhe mikpritjen e ngrohtë!”, ka thënë ai.

Para ceremonisë bashkiake për dhënien e titullit “Qytetar nderi i Shkodrës”, Thaçi kryebashkiakja e Shkodrës, Voltana Ademi, kanë mbajtur edhe një takim të përbashkët, ku kanë diskutuar për thëllimin e bashkëpunimit të Shkodrës me komunat e Kosovës.

Ata të dy, në fund, kanë vendosur kurora lulesh edhe te shtatorja e Shën Terezës, Luigj Gurakuqit dhe Isa Boletinit në Shkodër.

comments powered by Disqus

038 249 105     [email protected]    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

Ec me kohën...