Komisioni për Politikë të Jashtme kërkon fuqizim të rolit në Kuvendin e Kosovës

4 Tetor 2016 - 12:43      

Komisioni për Punë të Jashtme të Kuvendit vendosi sot të dalë me një deklaratë kundër arrestimit arbitrar, nga regjimi i Beogradit, të komandantit të Policisë së komunës së Mitrovicës, Nehat Thaçi.

Ky komision ka formuar po ashtu një grup pune për mbikëqyrjen e zbatimit të Ligjit për Protokollin e Shtetit dhe ka kërkuar të fuqizohet roli i komisionit në Kuvendin e Kosovës, transmeton Koha.net.

Komisioni për Punë të Jashtme i Kuvendit të Kosovës në mbledhjen e sotme, të kryesuar nga Elmi Reçica, kryetar, ka biseduar lidhur me mbikëqyrjen e zbatimit të Ligjit për Protokollin e Shtetit të Republikës së Kosovës dhe Ligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Protokollin e Shtetit të Republikës së Kosovës, çështje kjo që hyn në kuadër të kompetencave të këtij komisioni.

Të gjithë anëtarët e komisionit, të pranishëm në takim, janë pajtuar ta monitorojnë këtë ligj duke e formuar edhe grupin punues në përbërje: Pal Lekaj, kryetar, dhe Luljeta Veseli – Gutaj dhe Teuta Rugova, anëtare të këtij grupi.

Kryetari i Komisionit, Reçica, ka ngritur çështjen e fuqizimit të rolit të Komisionit në Kuvendin e Kosovës, sidomos sa i përket diplomacisë parlamentare dhe mbarëvajtjes së politikës së jashtme të vendit tonë. Në këtë kuadër ai i ka njoftuar të pranishmit për një vizitë pune që do ta ketë komisioni në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë. Anëtarët e komisionit do të kenë takime edhe me deputetë të veçantë, anëtarë të mekanizmave të ndryshëm rajonalë, për t’i qartësuar mundësitë për anëtarësim e përfaqësuesve tanë në të tillë mekanizma.

Anëtarët e komisionit, ndërkaq, janë pajtuar njëzëri që t’i thërrasin për të raportuar në komision ministrat përkatës që lidhen me politikën e jashtme dhe me dialogun me Serbinë, duke fillua nga ministri i Jashtëm, Enver Hoxhaj dhe ministrja për Dialog, Edita Tahiri.

Komisioni vendosi të dalë me një deklaratë kundër arrestimit arbitrar nga regjimi i Beogradit të komandantit të Policisë së komunës së Mitrovicës, Nehat Thaçi, veprim që minon procesin e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. 

comments powered by Disqus

038 249 105     [email protected]    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

Ec me kohën...