Termokiss organizon koncert për mbledhje fondesh ‘Krejt Ka Pak’

4 Tetor 2016 - 12:26      

Duke filluar në orën 18:00, të premten më 7 tetor, qendra shoqërore Termokiss organizon koncertin për mbledhje të fondeve ‘Krejt Ka Pak’ ku do të performojnë disa nga muzicientët më të rëndësishëm të skenës kosovare.

Termokiss është qendër shoqërore e cila gjendet në lagjen Dardania, në afërsi të ngrohtores së qytetit ‘Termokos’ dhe shkollës ‘Dardania’. Kjo qendër është nisur dhe drejtohet nga komuniteti, dhe ka për qëllim të ofrojë hapësirë për aktivitete argëtuese dhe edukative për qytetarët e Prishtinës.

Hapësira ku komuniteti i Termokiss i zhvillon aktivitetet e saj është ndërtuar në fillim të viteve të ’90-ta por asnjëherë nuk është shfrytëzuar deri në korrik të këtij viti, kur dhjetëra vullnetarë nga Kosova, Belgjika dhe Zvicra e funksionalizuan këtë strukturë nën ombrellën e projektit Toestand Mâche Prishtina.

Deri më sot, në Termokiss janë organizuar ngjarje të ndryshme si shfaqje të filmave, seanca për prezantim të fotografive, ditë të lojërave, takime javore, një koncert dhe një ekspozitë. Të gjitha këto kanë ndodhur edhe pse hapësira ka mungesë të kushteve bazike si izolimi i plotë i mureve dhe çatisë, apo lidhja me rrymë, ujë dhe kanalizim. Pasi që komuniteti i Termokiss synon të jetë i hapur ndaj secilit qytetar që dëshiron t’i bashkohet kësaj iniciative, lindi nevoja që të organizohet një koncert masiv i cili njëkohësisht do t’i njoftonte qytetarët me hapësirën, dhe do t’iu jepte të gjithëve mundësinë të ndihmojnë me aq sa kanë mundësi.

Fondet të cilat do të mblidhen gjatë kësaj nate do të shfrytëzohen për përmirësimin e kushteve të qendrës Termokiss dhe për organizimin e ngjarjeve të mëtutjeshme. Bazuar në idenë ‘krejt ka pak,’ hyrja në koncert do të kushtojë vetëm 2€, ndërsa donacionet me vlera më të mëdha do të lihen në ndërgjegjen dhe mundësitë e qytetarëve. Në koncert do të performojnë Shpat Deda, Genc Salihu, Gipsy Groove, Asgjë Sikur Dielli, Visar Kuçi Quartet, Ilir Bajri Trio, Art Lokaj Trio, Blerta Kosova, Oborri, Edona Vatoci, Me t’Njofshëm dhe Elektorati Intelektual. 

comments powered by Disqus

038 249 105     [email protected]    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

Ec me kohën...