Kryeauditori i Kosovës: UP-ja dhe Komuna e Dragashit, institucionet më të papërgjegjshme

4 Tetor 2016 - 09:19      

Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina” si dhe Komuna e Dragashit janë dy institucionet më të papërgjegjshme, sipas Zyrës së Auditorit të Përgjithshëm (ZAP).

Besnik Osmani, në emisionin “Ekonomia me Erëzën” në KTV, tregoi se pse këto dy institucione e kanë marrë këtë epitet.

Ka thënë se UP-ja dhe autoritetet komunale të Dragashit shpërfillin kërkesën e auditorëve, kur iu kërkua hartimi i planit të veprimit për zbatimin e rekomandimeve.

“Ne kemi bërë 1040 rekomandime, por Universiteti i Prishtinës dhe Komuna e Dragashit nuk kanë përmbushur obligimin ligjor për dorëzimin e planit të veprimit”, ka pohuar Osmani, raporton Koha.net.

Kryeauditori nuk ka dashur të komentojë se pse drejtuesit e këtyre dy institucioneve shpërfillën kërkesën e auditorëve.

Po ashtu, nuk ka dashur të flasë lidhur me të gjeturat e auditorëve në këto dy institucione.

Osmani ka pohuar se ZAP nuk ka mundësi ligjore që të obligojë institucionet që të përfillin rekomandimet. Këtë, sipas tij, duhet ta bëjë Kuvendi i Kosovës, i cili është themelues i UP-së dhe Qeveria e Kosovës, e cila është mbikëqyrëse e autoriteteve komunale.

Kreu i Zyrës së Auditimit, gjatë emisionit ka folur edhe për ardhjen e tij në këtë pozitë.

Ka mohuar se zgjedhja e tij në krye të ZAP-it ka pasur ndikime politike, pa marrë parasysh që dikur ishte pjesë e strukturës së LDK-së.

Ai po ashtu ka folur edhe për raportet që ka me Zëvendës Ministrin e Pushtetit Lokal, Barjam Gecaj, si dhe kryetarin e Gjilanit, Lutfi Haziri.

“Kam punuar me ta, pasi që kam qenë sekretar i Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal”, ka thënë Osmani.

Disa ditë pas emërimit të tij në krye të ZAP-it, ai kishte bërë foto të përbashkët me Gecajn dhe Hazirin. Dy zyrtarët e lartë të LDK-së i kishin uruar sukses kolegut të tyre në drejtimin e Zyrës së Auditorit të Përgjithshëm. 

comments powered by Disqus

038 249 105     [email protected]    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

Ec me kohën...