Foto: Koha

Ymeri: Pse Qeveria po e fshehë Projektligjin për Trepçën

3 Tetor 2016 - 16:38      

Kreu i Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri, ka kritikuar qasjen e Kuvendit të Kosovës ndaj projektligjit për Trepçën.

Ndonëse është vendosur që Kuvendi ta shqyrtojë të premten në lexim të parë Projektligjin për Trepçën, dhe pastaj të hënën ta përfundojë leximin e dytë dhe të miratohet ligji në tërësi, Ymeri thotë se kjo s’bën të ndodhë pasi që projektligji ende nuk është diskutuar as në Qeveri dhe nuk ka asnjë informatë të vetme për përmbajtjen e tij.

“Kryesia e Kuvendit sot paska vendosur që Kuvendi i Republikës së Kosovës ta shqyrtojë të premten në lexim të parë Projektligjin për Trepçën, dhe pastaj të hënën ta përfundojë leximin e dytë, dhe të miratohet ligji në tërësi. Ndërkohë që projektligji ende nuk është diskutuar as në Qeveri dhe nuk ka asnjë informatë të vetme për përmbajtjen e tij. Përveç deklarimeve të kota të Kadri Veselit e Isa Mustafës se ligji do të jetë në përputhje me interesat e Kosovës”, thotë Ymeri.

Lideri i VV-së thotë se “historia na mëson që duhet të jemi tejet të shqetësuar dhe të vëmendshëm sa herë që këta të dy pretendojnë se po e mbrojnë interesin e Kosovës”.

“Aq më tepër më shqetëson, dhe më bën të dyshoj, ngutia e trajtimit të projektligjit. Është e vërtetë se Trepça rrezikon të futet në proces të likudimit më 2 nëntor nëse ajo mbetet nën AKP-në. Tërheqja qyqare e Mustafës, Thaçit e Veselit në janar të vitit 2015 nuk e shpëtoi Trepçën, siç pretendojnë, por ia vazhdoi asaj amullinë dhe kërcënimin”, ka shtuar ai.

Ymeri thotë se kjo nguti e trajtimit të shpejtë të projektligjit në asnjë mënyrë nuk mund të arsyetohet, “përveç nëse po duan ta miratojnë Ligjin për Trepçën shpejt e shpejt për ta fshehur përmbajtjen e tij”.

“Çka po fshehin? Prej kujt po e fshehin? Më mirë thënë, prej kujt po frikësohen? Nëse projektligji qenka në përputhje me interesat e Republikës së Kosovës, ekonomisë sonë, në interes të minatorëve, atëherë pse po u dashka të fshihet?”, ka pyetur lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri. 

comments powered by Disqus

038 249 105     [email protected]    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

Ec me kohën...