Shënohet Dita Ndërkombëtare e të moshuarve

3 Tetor 2016 - 14:31      

Me moton: “Merr qëndrim kundër përbuzjes ndaj të moshuarve”, sot në Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike në Prishtinë u shënua Dita Ndërkombëtare e Personave të Moshuar, ku edhe u bë prezantimi i dokumentit të OBSH-së "Strategjia dhe Plani i Veprimit për Moshim të Shëndetshëm në Evropë, 2012 – 2020" dhe i i broshurës “Fakte: Keqkuptimet rreth moshimit dhe shëndetit”, i publikuar nga IKSHPK.

Duke vlerësuar se prezantimi i fushave strategjike dhe objektivat e OBSH-së të vendosura në këtë Strategji dhe plan veprimi janë udhërrëfyes i mirë dhe i domosdoshëm për Ministrinë e Shëndetësisë në adresimin dhe hartimin e politikave adekuate dhe të nevojshme në lidhje me moshimin e shëndetshëm në Kosovë, ministri Imet Rrahmani tha se krijimi i mundësive që sa më shumë njerëz ta kenë jetën aktive dhe të shëndetshme në moshën e shtyrë kërkon investime në një gamë të gjerë të politikave për moshim të shëndetshëm nga parandalimi dhe kontrolli i sëmundjeve jo të transmetueshme përgjatë gjithë jetës deri te forcimi i sistemeve shëndetësore në mënyrë që të rritet qasja e personave të moshuar në shërbimet sociale de shëndetësore të përballueshme dhe të cilësisë së lartë, njofton kumtesa nga MSH, transmeton Koha.net.

Drejtori ekzekutiv i IKSHP-së, Naser Ramadani, tha se shënimi i kësaj dite është një moment i rëndësishëm për të ngritur nevojën dhe sensibilizuar për kontributet e rëndësishëm që të moshuarit japin për botën tonë dhe për të rritur ndërgjegjësimin për çështjet e moshimit dhe sfidat e vazhdueshme më të cilët përballen njerëzit e moshuar, duke njohur edhe faktin se trendi i moshimit është në rritje në shumicën e vendeve të botës dhe gjithashtu edhe në Kosovë.

Dr. Skënder Syla, shef i Zyrës së OBSh-së në Kosovë tha se Strategjia do të arrihet përmes përqendrimit në pesë objektiva strategjik:. Zotimin për veprim; Përshtatjen e sistemit shëndetësor me nevojat e popullatës së moshuar; Zhvillimin e mjediseve miqësore për të moshuarit; Fuqizimin e kujdesit afatgjatë dhe Përmirësimin e monitorimit, hulumtimit dhe evaluimi.

Rabije Slivova, udhëheqëse e OJQ-së Vita-Jeta tha se roli kryesor i shoqatës që numëron rreth 1100 anëtare të moshuara është të fuqizojë, emancipojë dhe sensibilizojë për përfshirjen e grave të moshuara në kujdesin sociale e shëndetësor, realizimin e të drejtave të tyre për pensione, trashëgimi dhe të drejta të tjera.

Kurse, Shaban Kajtazi, Kryetar i Lidhjes së Pensionistëve të Kosovës, duke vlerësuar angazhimin e Ministrit Rrahmani dhe MSH-së për reforma dhe përkujdes më të mirë shëndetësor për këtë kategori, tha se mosha e tretë ballafaqohet më shumë sfida, ndërkohë që kërkoi shumë më tepër vëmendje nga shoqëria kosovare për kujdes prindëror, duke theksuar kontributin e pamohuar që mosha e tretë ka dhënë në periudhën midis Luftës së II Botërore dhe luftës së UÇK-së në zhdukjen e analfabetizmit dhe ngritjen e shoqërisë kosovare.

Publikimi Fakte: Keqkuptimet rreth moshimit dhe shëndetit ndërkaq, u prezantua nga dr. Naim Jerliu nga Qendra mbi Moshimin e IKSHP-së dhe është realizuar me përkrahjen e OBSH-së dhe financuar nga Qeveria e Luksemburgut.  

comments powered by Disqus

038 249 105     [email protected]    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

Ec me kohën...