
2 Tetor 2016 - 14:11
Flitet shumë për shkeljet Kushtetuese por jo të gjithë qytetarët janë në dijeni se kur bëhet fjalë për këto shkelje. Deri më tani, kryesisht shkeljet Kushtetuese janë adresuar në Gjykatën Kushtetuese vetëm nga partitë politike, por të pakta janë rastet kur dëgjohet që një qytetar apo individ i vetëm ka paraqitur rast për shkeljet eventuale Kushtetuese ndaj tij.
Këto shkelje po evidentohen vetëm nga institucioni i Avokatit të Popullit, por nuk ekziston një mekanizëm tjetër veç këtij institucioni i cili do të adresonte shkeljet.
Ndërsa, krijimi i një mekanizmi tjetër për kontrollin ndaj shkeljeve Kushtetuese sipas njohësit të Kushtetutës, Mazllum Baraliu nuk do të ishte e nevojshme. Madje krijimi i një supra-Kushtetuese do të krijojë disbalancë të sistemit Kushtetues.
“Krijimi i ndonjë mekanizmi supra-kushtetuese ose ekstra legjislativ që do të thotë mbi legjislacionin në fuqi dhe mbi ligjet që kemi, mbi Kushtetutën dhe Gjykatën Kushtetuese as nuk ka nevojë dhe as nuk është i mundur sepse bën disbalancë të sistemit të mirënjohur tre shtyllash të pushtetit, e ai është sistemi i njohur në gjithë Evropën dhe botën e civilizuar dhe jashtë Evropës. Pra, ekzekutivi, legjislativi dhe gjyqësori si tri shtyllat përmbajtëse dhe gjithëpërfshirëse të një pushteti që do të duhej të ishte gjithmonë demokratik dhe të ushtronte në mënyrë demokratike”, tha Baraliu.
Mazllum Baraliu, njëherësh edhe profesor në Universitetin e Prishtinës, tha për KosovaPress se edhe pse Gjykata Kushtetuese nuk është humane me qytetarët dhe ka shumë kufizime për të adresuar një shkelje, prapë se prapë krijimi i një mekanizmi i cili do të kontrollonte shkeljet apo krijimi i supra-Kushtetuese nuk do të ishte e nevojshme.
“Kjo Kushtetutë nuk është sa duhet rregullative, dhe humane për t’u inkorporuar, për të përfshirë më shumë të drejta dhe më shumë mundësi që pikërisht qytetarët drejt për së drejti, qytetarët e pakënaqur me shkelje të drejtave që iu bëhet në mënyrë individuale dhe kolektive t’iu drejtohet Gjykatës Kushtetuese. Në mënyrë kolektive kërkohet një numër shumë i madh, mbi 10 mijë. Ndërkaq individuale ka periptitë e tëra dhe është vështirë, nuk parasheh mundësinë që drejtpërsëdrejti qytetari t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese për çfarëdo shkelje që i bëhet”, tha Baraliu.
Edhe pse e çmon Kushtetutën e Kosovës, Baraliu tha se pasi ajo nuk është e kompletuar dhe ka shkelje që i bëhen çdo ditë, është dëshmia që Kushtetuta e tanishme e Kosovës, nuk është e qëndrueshme dhe duhet të ndryshohet.
“Është një Kushtetutë sigurisht për t’u çmuar, për t’u vlerësuar sepse është Kushtetuta e parë në Republikën e pavarur...por nuk është as e kompletuar, as demokratike e as e drejtë sa duhet, e as humane, ka shumë kufizime, shumë mangësi dhe ka shumë shkelje që i bëhen çdo ditë kësaj Kushtetute nga të gjitha anët, prandaj si e tillë është dëshmuar se si akt kushtetues nuk është shumë i qëndrueshëm ...pikërisht për shkak të mangësive që ka dhe vakumeve që ka, do të duhet që sa më parë të rishkruhej, jo të ndryshohet plotësohet se segmentalisht, pjesërisht çdo ndryshim dhe plotësim është i pa mjaftueshëm dhe është një lloj harrnimi”, është shprehur Baraliu.
Për kontrollet ndaj shkeljeve Kushtetuese që iu bëhen qytetarëve të Kosovës po merret institucioni i Avokatit të Popullit.
Avokati i Popullit, Hilmi Jashari, ka thënë për KosovaPress se parashtrimi i ankesave prej qytetarëve të Kosovës nuk është në atë gjendje të sofistikuar, pasi që ankesat e ardhura kryesisht dërgohen pa përfaqësues juridikë.
“Parashtrimi i ankesave prej qytetarëve të Kosovës nuk është në atë gjendje të sofistikume sepse kryesisht vijnë pa përfaqësues juridik, vijnë vetëm edhe parashtrojnë një problem me të cilat ata ballafaqohen qoftë me institucionet...Pastaj ne këtu brenda në institucion merremi me vlerësimin apo analizën për të parë se cilat dispozita kushtetuese kanë mundur të shkelen”, tregoi Jashari.
Ndërsa se a duhet krijimi i një mekanizëm që do i kontrollonte shkeljet Kushtetuese, Jashari, tha se institucioni që ai drejton merret me shkeljet dhe i adreson tek gjykatat.
“Pjesa më e madhe janë qytetarët që nuk munden me indentifiku vetë këto shkelje, mirëpo kjo bëhet brenda këtij institucioni....Sidoqoftë ato i bëjmë ne në institucionin e Avokatit të Popullit që këto të trajtohen nga ekspertët dhe bashkëpunëtorët e mi, dhe përfundimisht kur nxirren raportet përfundimtare të Institucionit të Avokatit të Popullit kjo ...Ne po pretendojmë që jemi duke bërë, është institucioni i Avokatit të Popullit mekanizmi i vetëm për mbrojtjen e lirive të njeriut”, tha Jashari.
Shqetësuese është asnjë veprim nuk merret ndaj shkelësit të Kushtetutës dhe askush nuk inicion rastin. Kemi rastin me rektorin e huaj të emëruar nga Qeveria e Kosovës, konkretisht ne MASHT në Universitetin e Prizrenit, ku përveç se është shkruar nga mediat, askush nuk e ka shqyrtuar.
Ish-ministri i Arsimit, Enver Hoxhaj, kishte emëruar një shtetas gjerman për rektor të parë të Universitetit të Prizrenit duke e shkel Kushtetutën, pasi sipas Kushtetutës, poste publike mund të marrin vetëm ata që janë shtetas të Republikës së Kosovës.
Në rast se dikush shkel Kushtetutën e Kosovës dhe rasti nuk është iniciuar tek Gjykata Kushtetuese, çfarë ndodh?
Drejtori i Zyrës për media në Gjykatën Kushtetuese, Veton Dula, për KosovaPress tha se neni 113 i Kushtetutës, pika 1 e përcakton qarë se Gjykata Kushtetuese e Kosovës mund të nxjerr vendime vetëm për raste të parashtruar në mënyrë ligjore.
“Përkitazi me shkeljet e pretenduara të Kushtetutës së Kosovës, Neni 113 i Kushtetutës, pika 1, e përcakton qartë se Gjykata Kushtetuese e Kosovës mund të nxjerr vendime vetëm për rastet e parashtruara në mënyrë ligjore nga palët e autorizuara”, ka thënë Dula përmes e-mailit.
Gjithashtu Dula, ka shkruar se Gjykata Kushtetuese është i vetmi institucioni në vend për të përcaktuar çdo shkelje eventuale të Kushtetutës së Republikës së Kosovës.
17 Shkurt 2017 - 00:15
16 Shkurt 2017 - 23:49
16 Shkurt 2017 - 23:41
16 Shkurt 2017 - 23:18
16 Shkurt 2017 - 23:17
Ec me kohën...