Krejt çka ndodhi në Kuvendin e Kosovës në interpelancën për kodin telefonik [video]

29 Shtator 2016 - 19:37      

Përpos diskutimeve disaditëshe në Bruksel mes Kosovës dhe Serbisë rreth marrëveshjes së telekomit, për të cilën ende nuk ka një marrëveshje, tema e njëjtë e diskutimit u bart edhe në Kuvendin e Kosovës.

Madje për këtë çështje u thirr në interpelancë nga Vetëvendosja, kryeministri i vendit, Isa Mustafa, raporton KTV.

Duke mbrojtur tërë kohën marrëveshjen për kodin telefonik, Mustafa ka thënë se kodi do të jetë pronë e Kosovës dhe e askujt tjetër.

Ka këmbëngulur se Kosova ka qenë e gatshme që të marrë në përdorim prefiksin e Shqipërisë, por se ITU-ja nuk e ka lejuar një gjë të tillë.

Andaj, sipas kryeministrit, BE-ja ka sugjeruar që për të pasur më të lehtë marrjen e kodit, në mungesë të anëtarësimit në OKB, të marrë kodin përmes kërkesës së bërë nga Austria.

Mirëpo, me këto deklarime nuk janë pajtuar deputetët e Vetëvendosjes.

Ymeri ka kërkuar që të futet në votim një rezolutë, përmes se cilës Kuvendi do të kërkojë që të ndërpriten bisedimet për telekomin.

Nga ana tjetër, partia e Mustafës kërkoi nga VV-ja që të mos bëjë politikë me këtë temë, pasi që sipas tyre, Kosova po të kishte mundësi tjera do të merrte kodin telefonik.

Përkrahje i ka dhënë planit të qeverisë edhe partneri tjetër i koalicionit, PDK-ja, ndërsa dy partitë tjera opozitare, AAK-ja dhe Nisma, thanë se me këtë marrëveshje qeveria vetëm sa ka legjitimuar praninë e Serbisë dhe kërkuan që marrëveshja të mos hyjë në fuqi derisa Serbia të mos paguaj dëmet e shkaktuara.

Gjatë ditës, Bashkimi Evropian ka kërkuar nga të dy palët negociuese brenda javës të përfundojnë bisedimet rreth telekomit.

Në këtë seancë në përgjigje të interesimit të deputetëve rreth Trepçës, kryeministri Mustafa ka deklaruar se brenda dhjetë ditësh do të sjellin në kuvend projektligjin dhe se i njëjti do të miratohet para 2 nëntorit.

Edhe për këtë çështje kishte përplasje mes Mustafës dhe Ymerit.

Konsiderohet se nga përdorimi i tri kodeve telefonike, Kosova ka humbur miliona euro.

Ndërkohë, janë hequr nga rendi i ditës projektligji për investimet strategjike, ai për lëshimin e licencës për projektin e prodhimit të naftës sintetike nga thëngjilli i kompanisë Envidity dhe ajo e kompanisë, Sharrcem dhe Titan Amerika.

comments powered by Disqus

038 249 105     [email protected]    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

Ec me kohën...