
26 Shtator 2016 - 21:27
Zëvendësministrja e Jashtme e Shqipërisë, Odeta Barbullushi, pjesëmarrëse në panel, tha se marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Serbisë në dy vitet e fundit kanë shkuar në kahe pozitive dhe kjo do të çojë në takimin e kryeministrave në tetor, së pari në kuadër të forumit për siguri në Beograd e më pas edhe në Nish, ku do të flasin për marrëdhëniet ekonomike.
Ne kemi një sinergji bashkëpunimi institucional, dhe Shqipërinë në duke i dhënë rëndësi të madhe për marrëdhëniet e saj me Serbinë, për shkak vetëdijes për rëndësinë strategjike të të dy vendeve për paqe në të gjithë Ballkanin.
“Kemi sinergji të bashkëpunimit institucional, dhe Shqipëria i jep rëndësi të madhe marrëdhënieve të saja me Serbinë, për shkak të vetëdijes për rëndësinë strategjike të të dyja vendeve për paqe në të gjithë Ballkanin”, ka thënë Barbullushi, raporton FoNet.
Ajo vuri në dukje se Shqipëria, si vend fqinj, viteve të ’90-ta të shekullit të kaluar, ka trashëguar marrëdhënie të pazgjidhura nga ish-Jugosllavia, ndërsa shtoi se sot ekziston një lëvizje pozitive drejt zgjidhjes së këtyre problemeve.
Ndërkaq, shefja e ekipit dialogues së Serbisë për bisedimet rreth anëtarësimit në Bashkimin Evropian, Tanja Mishqeviq, ka vlerësuar se Serbia dhe Shqipëria kanë “humbur një dekadë duke mos komunikuar” dhe ka shtuar se ka qenë e vështirë kapërcimi i paragjykimeve ndaj njëri-tjetrit për shkak se ato janë ndërtuar me shkuj, transmeton Koha.net.
“Këto paragjykime janë bazuar në emocione, e jo racionalisht. Pas disa shekujve, tani kemi një qëllim të përbashkët – anëtarësimin në BE, dhe për ta arritur këtë, duhet të ndryshojmë sepse vetëm atëherë ky qëllim do ta ketë rëndësinë e vetë”, ka thënë ajo.
Ndërkaq, kryeredaktori i “Kohës Ditore”, Agron Bajrami, ka thënë se publikisht, duke iu falënderuar politikanëve, marrëdhëniet mes serbëve dhe shqiptarëve shpeshherë janë paraqitur ose si shumë të errëta ose si shumë rozë, ndonëse realiteti është diku në mes.
Ai ka vlerësuar se do të ishte mirë që të shihej përmirësimi i marrëdhënieve ekonomike mes Shqipërisë dhe Serbisë, por se, kur flitet për raportet mes dy kombeve, këtu ekziston edhe pala e tretë – Kosova, e cila duhet përfshirë.
Sipas mendimit të tij, dialogu mes Prishtinës dhe Beogradit është zëvendësim i keq për këtë, sepse, nën ndikimin e politikës, në shumë raste të dyja palët refuzojnë të ballafaqohen me ngjarjet në terren.
“Pas disa vitesh nga nënshkrimi i marrëveshjes së Brukselit, për shkak të ekzistimit të paqartësive konstante dhe marrëveshjeve të me dy kuptime, të gjitha palët kanë interpretime të ndryshme. Ky dialog në Bruksel është bërë barrë në marrëdhëniet mes Serbisë, Shqipërisë e Kosovës, sikurse edhe mes serbëve dhe shqiptarëve”, ka thënë Bajrami, transmeton Koha.net.
Ai vlerëson se, kur kemi të bëjmë me përmirësimin e marrëdhënieve mes serbëve dhe shqiptarëve, çështja kyçe është pajtimi, i cili nuk mund të ndodh pa drejtësi, “e drejtësia po vonon”.
Shefi i dikurshëm i Qeverisë së Serbisë në bisedimet me Kosovën, Borko Stefanoviq, ka thënë se në ato takime dy palët, ndonjëherë edhe deri në 18 orë, “kemi biseduar për gjëra të kota”.
“Sot kur i kujtoj ato gjëra, të imëta dhe të kota, nuk mund të besoj se për çka në të vërtetë kemi biseduar”, ka kujtuar ai.
Stefanoviq ka përmendur edhe rastin kur kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, në Beograd kishte thënë se “pavarësia e Kosovës është realitet dhe Serbia duhet ta njohë atë”, deklaratë e cila e kishte “çmendur” kryeministrin serb Vuçiq, e për të cilën edhe kishte thirrur konferencë për media, ndërsa kur të njëjtën ia kishte thënë zëvendëspresidenti amerikan, Joseph Biden, “ia kishte rrahur shpatullat”.
© KOHA
17 Shkurt 2017 - 00:15
16 Shkurt 2017 - 23:49
16 Shkurt 2017 - 23:41
16 Shkurt 2017 - 23:18
16 Shkurt 2017 - 23:17
Ec me kohën...