UBO Consulting sqaron opinionin për sondazhin e fundit

26 Shtator 2016 - 19:45      

Agjensioni UBO Consulting, i cili ditë më parë lansoi për opinion një sondazh në lidhje me pozicionimin e partive politike në vend nëse zgjedhjet do të mbaheshin në një të ardhme të afërt, ka dërguar një sqarim për media.

Sqarimi u dedikohet mediave dhe individëve, apo partive politike, që këtë sondazh e kanë cilësuar si të porositur nga Lëvizja Vetëvendosje.

Më poshtë ju sjellim të plotë sqarimin e kompanisë:

Sqarim për opinionin publik - “Sondazhi ishte pjesë e OMNIBUS-it”

Me qëllim të informimit të drejtë, dëshirojmë të njoftojmë publikun që disa nga rezultatet e sondazhit për preferencat politike të prezantuara në mediat elektronike me datë 24.09.2016, kanë qenë pjesë e shërbimit të rregullt hulumtues të titulluar OMNIBUS. Ky shërbim (OMNIBUS-i) është metodë sasiore e mbledhjes së të dhënave, ku të dhënat mbi çështje të ndryshme mblidhen në një anketë të vetme. Në këtë mënyrë, OMNIBUS paraqet metodë hulumtuese ku shpenzimet e hulumtimit ndahen në mes të klientëve të ndryshëm. Një hulumtim i tillë përmes OMNIBUS-it, zhvillohet nga UBO Consulting në baza të rregullta tre mujore.

Metodologjia e zhvillimit të OMNIBUS-it, është në linjë me standardet dhe parametrat statistikor, për matjen e perceptimit të qytetarëve mbi çështje të ndryshme socio-ekonomike dhe politike. Për përcaktimin e mostrës në këtë hulumtim është përdorur teknika e “mostrës së shtresuar me përzgjedhje të rastësishme”, duke përdorur teknikën e përzgjedhjes bazuar në datëlindjen e parë më të afërt për personat mbi moshën 18 vjeç. Mostra e OMNIBUS-it, ndahet në grupe më të vogla që njihen si shtresa – bazuar në karakteristikat e përbashkëta të pjesëtarëve të këtyre shtresave. Shtresimi i parë: është bërë në bazë të përkatësisë etnike, ku janë krijuar tri nën-grupe të ndryshme. Shtresimi i dytë: është bërë në bazë të vendbanimeve. Për secilën komunë është bërë shtrirja e mostrës në pjesët urbane dhe rurale, sipas statistikave zyrtare të Agjensionit të Statistikave të Kosovës. Shtresimi i tretë: është bërë në bazë të numrit të anketave të realizuara në secilin vendbanim (pikë startuese). Hulumtimi i opinionit publik përmes metodës OMNIBUS, bëhet me mostër prej 1065 të anketuarve në nivel vendi dhe ka nivel të besueshmërisë prej 95% me margjinë të gabimit prej +-3%.

Në kuadër të OMNIBUS-it të tretë me radhë për këtë vit, të zhvilluar në periudhën 3 deri më 14 Shtator 2016, kanë marrë pjesë disa klient të ndryshëm, fokusi i të cilëve ka qenë për tema të ndryshme socio-ekonomike dhe politike.

Agjencioni UBO Consulting, i dorëzon rezultatet e pyetjeve specifike për secilin klient, duke mbrojtur privatësinë dhe konfidencialitetin mbi pyetjet dhe rezultatet e secilit klient. Konkretisht, UBO Consulting nuk i bën publike rezultatet nga shërbimi OMNIBUS në asnjë rrethanë, pasi që ato informata janë në pronësi të klientëve. Njëri nga klientët e përfshirë në këtë cikël të OMNIBUS-it ka qenë Lëvizja VETËVENDOSJE, e cila ka kontraktuar një numër të caktuar të pyetjeve.

Agjencioni UBO Consulting gjatë periudhës shumëvjeçare ka kryer një numër të madh të hulumtimeve në fushën e matjes së opinionit publik dhe atë për organizata të ndryshme ndërkombëtare, OJQ, parti politike, biznese, mediume dhe donatorë. Agjensioni UBO Consulting ka ruajtur pavarësinë profesionale duke respektuar etikën e punës, kriteret profesionale dhe shkencore, dhe përgjegjësinë personale ndaj klientëve. Tregues më i mirë i kësaj është numri i madh i klientëve të kënaqur me punën tonë dhe numri i madh i anketave të zhvilluara përgjatë viteve.

Me respekt,

UBO Consulting 

comments powered by Disqus

038 249 105     [email protected]    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

Ec me kohën...