
26 Shtator 2016 - 13:42
Në seancën e radhës pikë e rendit të ditës do të jetë interpelanca e kryeministrit, Isa Mustafa, sipas kërkesës së deputetit Visar Ymeri, i mbështetur edhe nga 7 deputetë nënshkrues, në lidhje me kodin telefonik shtetëror të Republikës së Kosovës dhe për situatën politike në veri të Kosovës, raporton KP.
Mirëpo kryetari i Kuvendit Kadri Veseli tha se Demarkacioni do të procedohet në seancë, në momentin që Qeveria e sjellë në Kuvend. Veseli thotë se Demarkacioni duhet të kalojë, sepse është interes strategjik i qytetarëve të Kosovës dhe se nuk duhet të dëmtohet perspektiva evropiane e vendit.
“Ka një vit që jemi duke humbur kohë, në çështje të cilat do të duhej të përfundojnë. Janë interes strategjik i Republikës së Kosovës. Demarkacioni duhet të kalojë, sepse është interes strategjik i qytetarëve të Kosovës. Nuk duhet të dëmtohet perspektiva e të ardhmes euroatlantike e Kosovës. Çdo veprim i cili destabilizon apo cenon faktorët e paqes siç është partneriteti ynë me fqinjët, siç është republika e Malit të Zi, është cenim i sovranitetit dhe sigurisë së vendit tonë”, tha Veseli.
Ndërsa i pyetur për dëbimet e banorëve në lagjen “Dardania”, Veseli tha se është kundër uzurpatorëve, por dhe kundër skenave që u ngjajnë atyre në Siri, për të cilat thotë se dikujt po i pëlqejnë.
“Nuk jam ithtar i veprimeve policore, veçanërisht në ditët me shi të vjeshtës, ndaj qytetarëve të asnjë pjese të Kosovës. Me lejoni të theksoj se asnjë uzurpatorë, nuk do të lejohet të qëndrojë në prona të huaja. Prona është e patjetërsueshme. Por në të njëjtën kohë ka dhe një te drejtë universale veçanërisht, kur ka të bëjë më fëmijët. Asnjë forcë edhe forca e pushtetit nuk është mirë të abuzohet mbi familjarët me njerëz hallegji. Këto dyja kisha pas dëshirë me i nda. Uzurpatorët nuk do të kenë perspektivë në Kosovë. Por në të njëjtën kohë edhe cenimi i njerëzve i fëmijëve në rrethana kur janë jo humanitare, dikujt më duket po iu pëlqejnë shumë skenat e Sirisë dhe po thërret dhe për skena të luftës”, tha ai.
Ndërsa shefi i grupit parlamentar të AAK-së Pal Lekaj tha se e rëndësishme është që Demarkacioni nuk është në rend dite. Ai madje beson që Qeveria ka hequr tashmë dorë nga vizioni aktual.
“Ajo që është me rëndësi dhe për me u çliru Kosova nga një ankth, nuk është në rend dite Demarkacioni. Dhe mendoj që ndoshta Qeveria ka hequr dorë nga ky version dhe mu për këtë nuk po e shihni në rend dite. Mirëpo ajo që është jetike për qytetarët e Kosovës, jemi larg synimeve apo përmbushjes së kërkesave. Sepse edhe pse tani ka filluar funksionimi i Kuvendit edhe me pozitë dhe opozitë, nuk janë vënë në rend dite çështjet që janë jetike për qytetarët. Nëse e shihni rendin e ditës nuk ka ndonjë çështje që mund të përfitojnë qytetarët, por janë çështje me rëndësi të strukturave politike, koalicionit qeverisës që për interesa të ngushta kanë një nguti”, tha Lekaj.
Lekaj po ashtu tha se kanë vërejtje dhe në pikat e rendit të ditës si Shqyrtimi i Propozimi-vendimit të Qeverisë së Republikës së Kosovës, nr. 05/106, datë 25.08.2016, me të cilin konsiderohet interesi publik nga lëshimi i licencës për Projektin e Kompanisë Envidity Energy Kosova LLC dhe shqyrtimi i Propozim-vendimit të Qeverisë së Republikës së Kosovës, nr. 06/106, datë 25.08.2016, me të cilin konstatohet interesi publik për lëshimin e licencës për hulumtim për Projektin e Kompanisë Sharr Cem dhe Titan Amerika. Lekaj thotë se do t’i kundërshtojnë këto pika sepse po e vënë në huti Kuvendin, sepse deputetët nuk janë të informuar drejt për këtë. Ndërsa thotë se nuk e di pse kjo nguti për pikat në fjalë duke u anashkaluar procedurat e Kuvendit.
E Valdete Bajrami nga Nisma beson se seanca e së enjtes do të jetë pak më e tensionuar, në rast se kryeministri do të jetë në interpelancë për t’u ballafaquar me dështimet e Qeverisë.
“Besojmë që kjo seancë do të jetë pak më e tensionime. Përderisa shpresoj që kryeministri të mos i ik përgjegjësive dhe të dal në interpelancë, pasi që e kemi parë që në seancën e fundit i tërë kabineti qeveritar ka munguar. Dhe kjo tregon një mos seriozitet të tyre të përballen me deputet”, tha Bajrami.
17 Shkurt 2017 - 00:15
16 Shkurt 2017 - 23:49
16 Shkurt 2017 - 23:41
16 Shkurt 2017 - 23:18
16 Shkurt 2017 - 23:17
Ec me kohën...