23 Shtator 2016 - 19:11
Shefi i ekzekutivit Isa Mustafa ka thënë se demarkacioni është çështje e patejkalueshme e duhet të miratohet, ndërsa Enver Hoxhaj ka paralajmëruar se marrëveshja do të jetë në tetor në Kuvend, raporton KTV.
Por, nëse partitë në pushtet do t’i përmbahen deklaratës së përbashkët të përpiluar në takimet që po zhvillojnë tash e sa kohë me lehtësimin e Naim Rashitit, atëherë duhet të presin një konsensus të gjerë për këtë çështje.
Në dokumentin që e ka siguruar KTV-ja thuhet se “Në frymën e dialogut politik dhe me qëllim të ruajtjes dhe konsolidimit të stabilitetit në vend, avancimit të reformave shtet-ndërtuese dhe integrimeve euroatlantike dhe ruajtjes e kultivimit të marrëdhënieve me të gjithë partnerët rajonalë e ndërkombëtarë. Udhëheqësit e partive politike parlamentare, Partisë Demokratike të Kosovës, Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lëvizjes Vetëvendosje, Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nismës për Kosovën zotohen se do të punojnë së bashku për gjetjen e zgjidhjes për demarkacionin me Malin e Zi. Partitë politike pajtohen që përderisa të zgjasë dialogu lidhur me këtë çështje, projektligji për demarkacionin e marrëveshjes me Malin e Zi të mos procedohet në Kuvend.
Në dokumentin që nuk është final e që thuhet se do të përpunohet ende me disa detaje të tjera shkruan se “Subjektet do të punojnë së bashku në frymën e një konsensusi me bazë të gjerë gjatë javëve në vijim. Hollësitë do të përpunohen brenda pak ditësh, derisa ftojnë edhe subjektet e tjera për bashkëpunim.
Po ashtu, me këtë dokument u kërkohet subjekteve politike që të përmbahen nga gjuha dhe veprimet nxitëse.
Me këtë deklaratë, udhëheqësit e subjekteve politike po ashtu sigurojnë Qeverinë e Malit të Zi se respektojnë sovranitetin e saj dhe do të angazhohen për ta ruajtur e kultivuar fqinjësinë dhe marrëdhëniet e mira me Malin e Zi, si shtet fqinj e partner, thuhet në fund të letrës.
Për t’u zyrtarizuar kjo deklaratë, duhet të jenë nënshkrimet e 5 liderëve kryesorë politikë në vend, Kadri Veselit, Isa Mustafës, Visar Ymerit, Ramush Haradinajt e Fatmir Limajt.
Vetëvendosje, pas takimit javën e shkuar, pati mohuar të jetë pajtuar me deklaratën, ndërsa AAK-ja e Nisma kanë thënë se i vetmi kusht për t’u ulur në një tryezë me liderët politikë të koalicionit është që marrëveshja në kthehet në pikën zero.
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
17 Shkurt 2017 - 00:15
16 Shkurt 2017 - 23:49
16 Shkurt 2017 - 23:41
16 Shkurt 2017 - 23:18
16 Shkurt 2017 - 23:17
Ec me kohën...