Grup psikologësh kërkuan punë para MASHT-it në arsimin parauniversitar

23 Shtator 2016 - 16:12      

Një grup i psikologëve të diplomuar në nivelin bachelor e master në Universitetin e Prishtinë, kanë protestuar para Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, duke kërkuar punësim nëpër shkolla të nivelit parauniversitarë në vendin tonë.

Një nga përfaqësueset e psikologëve, Arlinda Krasniqi, tha se nuk u ka mbetur rrugë tjetër për punësim vetëm të protestojnë para MASHT-it, transmeton kosovapress.

“Sot kemi dalë para MASHT-it duke parë se të gjithë studentët e fakultetit të Psikologjisë si bachelor ashtu dhe master e kanë pa si formën e vetme të ngritjes së zërit të tyre për të kërkuar të drejtat tona për punësim. Pra e gjithë kjo protestë ka ardhë si rrjedhojë e një zhgënjimi dhe një pakënaqësie nga ana e psikologëve të diplomuar ndaj MASHT-it e cila çdo vit e më shumë nuk po hap konkurse nëpër komunat dhe shkollat për psikolog. Kështu ka ndodh edhe këtë vit edhe në vitet paraprake”, ka deklaruar ajo.

Ndërkohë, psikologu tjetër Labinot Dervishaj, është shprehur se psikologu në shkollë është shumë i rëndësishëm për shëndetin psikik e mendor të nxënësve.

“Rëndësia e psikologut shkollor është shumë e madhe, se psikologu e bënë promovimin e shëndetit mendor, fizik dhe psikik të nxënësve, kontribuon në ngritjen e mësimdhënies dhe mësimnxënies, gjithashtu psikologu merret edhe me raste të fëmijëve me nevoja të veçanta dhe gjithashtu kontribuon shumë në gjithpërfshirjen dhe integrimin e fëmijëve brenda arsimit të rregullt, një situatë, një plan apo strategji që e ka edhe vet MASHT-i integrimin e këqyre fëmijëve brenda arsimit të rregullt”, ka deklaruar ai.

Pas një pritje të shkurtër para ndërtesës së MASHT-it në kryeqytet, disa përfaqësues të tyre janë pritur nga ministri Arsim Bajrami dhe bashkëpunëtorët e tij, të cilëve u ka premtuar se do të kërkojë zgjidhje nga të gjitha institucionet e vendit për këtë çështje.

Këshilltari i ministrit, Lah Nitaj, ka thënë para mediave se ministri është zotuar që të rritet buxheti për komunat për vitin e ardhshëm në mënyrë që një pjesë e tij të ndahet për punësimin e një numri të psikologëve.

“Sapo e kemi përfunduar një takim me grupin përfaqësues të psikologëve të rinj të Kosovës, në prezencën e ministrit janë shtruar çështjet që preokupojnë këta të rinj, mungesa e një vendit të punës, përgatitja e tyre shkollore, mospërfshirja e tyre në dhënien e shërbimeve në të mirë të të rinjve, përkatësisht të nxënësve tanë në shkollat tona dhe me gjithë mirëkuptimin që e kemi, i kemi adresuar disa pika për të ardhmen dhe ministri si titullar i Ministrisë së Arsimit në këtë rast para grupit përfaqësues është zotuar që me kapacitetin e tij si ministër i Arsimit do të bëjë gjithçka që është në fuqinë e tij juridike dhe politik që të lobojç në MF, në Komisionin Parlamentar për buxhet dhe financa, në komisionin funksional për arsim, shkencë në Parlamentin e Kosovës që me rastin e planifikimit të buxhetit për vitin e ardhshëm 2017 të mund të ndikoj që granti specifik për komunat e Kosovës i cili këtë vit është 160 milion euro do të mund të rritet në mënyrë që specifikisht kjo kategori e psikologëve dhe pedagogëve të mund të përfshihen në shkollat tona”, është shprehur Nitaj.

Pas takimit me ministrin dhe kabinetin e tij të psikologëve, grupi prej dhjetëra studentëve në kësaj fushe janë shpërndarë të qetë.

comments powered by Disqus

038 249 105     [email protected]    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

Ec me kohën...