Qela: Ose të nxirret Ligji mbi Trepçën, ose të tregojmë se s’jemi të aftë ta udhëheqim shtetin

22 Shtator 2016 - 16:20      

Deputeti i Lëvizjes për Bashkim, Raif Qela, ka thënë se Ligji për Kombinatin “Trepça” duhet të sillet në Kuvend menjëherë. Në të kundërtën, ai ka thënë se duhet të kërkohet përgjegjësi.

“Prej fillimit të këtij viti, si përfaqësues i qytetarëve të Kosovës, e kam ngritur me dhjetëra herë çështjen e Ligjit mbi Trepçën. Edhe në Komisionin për Zhvillim ekonomik, infrastrukturë tregti e industri, edhe në Seanca të Kuvendit, me pyetje parlamentare drejtuar kryeministrit të Kosovës, z. Isa Mustafa etj. Këtë e kam bërë duke e ditur rëndësinë që ka Ligji mbi Trepçën në potencialin që do ta krijonte ai për zhvillimin ekonomik të krejt Kosovës dhe duke e parë rrezikun që ky Ligj nuk po procedohet me kohë në Kuvend”, ka thënë sot në Kuvend Qela, përcjell Koha.net.

Ai ka kujtuar se si para 20 muajsh ky Kuvend, por edhe Qeveria, kanë qenë në siklet të madh, duke e shqyrtuar Ligjin për ndryshimin dhe plotësimin e ligjit nr.04/L-035 për riorganizimin e ndërmarrjeve të caktuara dhe pasurisë së tyre, me qëllim që të pengohet likuidimi i paralajmëruar i Kombinatit “Trepça”.

“Prej atëherë pothuajse asgjë nuk ka ndryshuar lidhur me këtë çështje: gjendja e agonisë, në të cilën është ‘Trepça’ qe pothuajse 25 vjet, po vazhdon. Akoma nuk e kemi nxjerrë bazën ligjore të nevojshme që kjo ndërmarrje të zhvillohet dhe me afarizmin e vet pozitiv të ndikojë edhe në zhvillimin ekonomik të krejt Kosovës”, ka thënë deputeti që i takon grupit parlamentar të PDK-së, si pjesë e koalicionit parazgjedhor që kanë pasur këto dy parti.

“Ligji për Kombinatin ‘Trepça’ duhet të sillet në Kuvend, e jo të mjaftohemi me terapi shpëtimi të përkohshëm, apo me ligje surrogate, siç kemi vepruar para 20 muajsh... Qe disa muaj Komisioni për hartimin e Projektligjit për Trepçën, i emëruar prej vetë kryeministrit Mustafa, e ka kryer punën e vet dhe e ka nxjerrë një version fillestar të Projektligjit. Prej atëherë ne nuk kemi asnjë lëvizje. Qeveria nuk e ka proceduar në Kuvend Ligjin për Trepçën”, ka thënë Qela. “Shumë nga përfaqësuesit e institucioneve kanë pas dhënë premtim para punonjësve të Kombinatit ‘Trepça’ dhe para qytetarëve se do ta nxjerrin Ligjin për Trepçën në afatin e paraparë. Edhe vetë KM në shkurt të këtij viti e ka pas dhënë këtë premtim në Trepçë para minatorëve në manifestimin me rastin e përvjetorit të grevës së minatorëve”, ka shtuar ai.

Ai ka pyetur se ku është ai premtim, e pse akoma nuk ka lëvizje.

“Ne nuk duhet të paralizohemi nga frika e pabazë e të mos veprojmë, siç kemi bërë deri më tani. Këtë duhet ta bëjmë më së largu brenda javës, sepse më 2 nëntor është afati kur Trepça shkon me automatizëm në likuidim po qe se deri atëherë nuk nxirret Ligji mbi Trepçën. Nuk është kurrfarë zgjidhje përsëritja e praktikës për nxjerrje të ndonjë ligji surrogat, përmes të cilit do t'ia zgjasnim agoninë Trepçës, ashtu siç kemi vepruar para 20 muajsh. Ose të nxirret Ligji mbi Trepçën, ose të tregojmë se nuk jemi të aftë ta udhëheqim vendin dhe të japim përgjegjësi për çdo dështim”, ka thënë Qela.

comments powered by Disqus

038 249 105     [email protected]    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

Ec me kohën...