Preteni: Ndaluam tenderë të korruptuar në vlerë mbi 100 milionë euro

22 Shtator 2016 - 13:10      

Dy ditë para përfundimit të mandatit, drejtori i Agjencisë së Kundër Korrupsionit, Hasan Preteni në konferencën e fundit për media vlerësoi të arriturat e këtij institucioni që është themeluar tash e 10 vjet.

Pavarësisht rritjes së përqindjes së korrupsionit në vend në bazë të raporteve ndërkombëtare, Preteni tha se në bazë të informatave të ndryshme kanë arritur ta parandalojnë korrupsionin duke ngritur kallëzime penale për zyrtarë të ndryshëm.

Sipas tij, për këtë dukuri numri total i personave kundër të cilëve është ushtruar kallëzime penale e kalon shifrën mbi 1 mijë e 500 zyrtarë.

“Por, 1 mijë e 802 raste ka pasur dyshime të bazuara dhe pas përfundimit të hetimeve, hetime preliminare, hetime administrative në 706 raste kundër 1 mijë e 434 zyrtarëve kemi ushtruar kallëzim penal. Në rreth 50 raste nuk kemi mundur t’i identifikojmë numrin e zyrtarëve të dyshimtë të përfshirë në këto aktivitete korruptive. Por me siguri në mesin e 50 informatave janë përfshirë së paku 100 zyrtarë. Kështu që numri total i personave kundër të cilëve kemi ushtruar kallëzime penale e kalon shifrën mbi 1 mijë e 500 zyrtarë”, thotë Preteni.

Edhe pse Preteni përmendi shumë shifra për lëndë korruptive ai nuk tregoi emra, edhe pse ai tha këta zyrtarë janë të njohur për prokuroritë. Ai tha se të korruptuar ka gati në të gjitha institucionet e shtetit.

“Të gjithë këta emra janë të njohur për Prokuroritë, në mesin e tyre ka zyrtarë të lartë të institucioneve qendrore, pushtetit lokal, institucioneve të pavarura , gjyqtarë dhe prokurorë”, tha Preteni.
Tek parandalimi i korrupsionit, Preteni tha se nga deklarimi i pasurisë në Agjenci tani janë sistemuar saktësisht 28 mijë e 320 formularë. Deri në vitin 2010, formularët nuk janë publikuar, pas kësaj kohe, sipas tij, janë publikuar të dhënat të cilat nuk bien ndesh me ligjin për ruajtjen e të dhënave personale.
Ai tha se përqindja e deklarimit të pasurisë është shumë e mirë, dhe vetëm në vitin 2012 ka qenë nën 95 përqind. Sipas ti, në shumicën e rasteve ka pasur 98 për qind e më shumë se 99 përqind.

“Pas publikimit të të dhënave, ne kemi vazhduar t’i kontrollojmë formularët, kontrollit iu kanë nënshtruar të gjithë formularët , kurse kontrollit të plotë rreth 25 për qind të tyre, ose 7 mijë formularë. Për çdo vit 25 përqind që i bie se për periudhën 4 vjeçare janë kontrolluar të gjithë. Nëse një zyrtarë i lartë ka qenë 4 vjet në pozitën e zyrtarit të lartë domosdoshmërisht formulari i tij është kontrolluar”, tha ai.
Për deklarim të rrejshëm të pasurisë, Agjencia ka ushtruar 70 kallëzime penale.
Preteni më tej tha se kjo Agjenci ka arrit të parandaloi mbi 100 milionë euro në fushën e prokurimit publik.

“Korrupsioni në fushën e prokurimit publik fillon qysh në fazën e përcaktimit të kritereve, këtë fushë e kemi monitoruar me prioritet dhe falë vigjilencës së zyrtarëve të Agjencisë i kemi trajtuar 454 raste. Shumica prej tyre inflamacionet janë siguruar në rrugë zyrtare... vlera e tenderëve të stopuar e kalon shifrën e 108 milionëve. Dhe 70 raste i kemi monitoruar aktivitetet tenderuese, kurse në fazën e vlerësimit kemi qenë të pranishëm për t’ju shmangur ose për të rritur përgjegjësinë”, tha Preteni.
Për konflikt të interesit, kjo Agjenci ka trajtuar 1 mijë e 246 raste, prej tyre 796 raste zyrtarët iu kanë shmangur konfliktit të interesit, duke i pranuar udhëzimet e Agjencisë. Kurse, në 26 raste është kërkuar largimi i zyrtarëve nga puna.

Kjo Agjenci e cila ka nisur punën në vitin 2006, filloi fillimisht me 8 zyrtarë, kurse tani ka 40 dhe ka një buxhet të bollshëm dhe kushte të mira për punë. Pasardhës i Hasan Pretenit, është Shaip Havolli

comments powered by Disqus

038 249 105     [email protected]    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

Ec me kohën...