BE shpall thirrje për projekte ndërkufitar Maqedoni-Shqipëri

22 Shtator 2016 - 09:09      

Shkup, 22 shtator – Në Qendrën Informative të Bashkimit Evropian (BE) në Shkup u shpall thirrja e parë publike për projekte për bashkëpunim ndërkufitar mes Maqedonisë dhe Shqipërisë 2014-2020, fonde të siguruara nga Instrumenti i Ndihmës së Paraaderimit (IPA 2) të BE-së.

Për këtë thirrje, siç transmeton AA, nga ana e BE-së në dispozicion janë 2.890.000 euro për projekte të dy vendeve, ndërsa të drejtë aplikimi kanë institucionet e sektorit publik, organizatat e shoqërisë civile, dhomat e tregtisë, qendrat për menaxhimin e krizave, shkollat fillore dhe të mesme, ata profesionale, universitetet, etj.

Ambasadori i BE-së në Maqedoni, Samuel Zhbogar, theksoi se projekti në fjalë kontribuon në zhvillimin e bashkëpunimit ndërkufitar mes dy vendeve dhe ndihmon në perspektivën ekonomike dhe stabilitetin politik në rajonin e gjerë. Ai bëri të ditur se nga BE-ja gati 3 milionë euro janë siguruar për tre prioritete të të dy vendeve, në turizmin dhe kulturën, rritjen e investimeve të aftësive të biznesit dhe në mbrojtjen e mjedisit.

“Bashkëpunim ndërkufitar do të thotë pasurim i së ardhmes dhe jo vetëm në mirëkuptim më të mirë dhe jetë më të mirë, por edhe në afrimin e qytetarëve të të dy vendeve me ofrimin e shërbimeve publike dhe të infrastrukturës. Bëhet fjalë për një sinergji që vendet nuk do të mund të jetojnë pa të”, deklaroi Zhbogar.

Ndërkaq, ministrja e Vetëqeverisjes Lokale të Maqedonisë, Shyrete Elezi, theksoi se në suaza të periudhës së parë programore 2007-2013, përmes instrumentit IPA janë financuar 51 projekte për bashkëpunim ndërkufitar mes Maqedonisë dhe Shqipërisë, në vlerë prej 7.2 milion euro.

Ndërsa, siç tha ajo, në këtë periudhë të dytë programore dikasteri që drejton ajo do të jetë përgjegjëse për realizimin e rreth 100 milionë euro për gjithsej pesë programeve për bashkëpunim ndërkufitar, ndër to edhe me Shqipërinë në vlerë prej 12 milionë euro.

“Në periudhën e parë programore, kemi arritur të realizojmë rreth 85 përqind të mjeteve që i kishim në dispozicion përmes instrumentit IPA. Të inkurajuar nga kjo përvojë, synojmë që në periudhën e dytë programore të arrijmë shkallën e realizimit prej mbi 90 për qind”, deklaroi Elezi, duke ftuar shfrytëzuesit e mundshëm të marrin pjesë me projekte konkurruese dhe inovative.

Nga ana tjetër, zëvendëskryeminstri për Çështje Evropiane i Qeverisë së Maqedonisë, Arbër Ademi, tha se me realizimin e projekteve të suksesshme të periudhës së parë programore është fituar një përvojë dhe është ndërtuar partneritet ndërkufitar të cilët mund të jenë bazë për avancimin e suksesit të programit të ri.

Qëllimi i komponentit për bashkëpunim ndërkufitar është nxitja e zhvillimit ndërkufitar ekonomik, ekologjik dhe social, me theks të veçantë në avancimin e turizmit, zhvillimit të qëndrueshëm të mjedisit jetësor në mbrojtjen, avancimin dhe përparimin e pasurive natyrore dhe ekosistemit, si dhe nxitja e zhvillimit të kohezionit social dhe kulturor nëpërmjet aktiviteteve të llojit nga njerëzit për njerëzit dhe nga institucionet për institucionet.

Instrumenti i Ndihmës së Para aderimit (IPA) është pjesë e pakos për marrëdhënie të jashtme me BE-në. Qëllimi themelor gjatë krijimit të IPA-s ishte koordinimi i ndihmës gjithëpërfshirëse parashikuar për fazën e para-aderimit, nën një kornizë të vetme si dhe bashkimi i shteteve kandidate për anëtarësim dhe shtetet potencialisht kandidate për anëtarësim nën një rregullativë të vetme.

comments powered by Disqus

038 249 105     [email protected]    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

Ec me kohën...