Nishani takon Ban Ki-Moon, vlerësohet lidershipi kundër ekstremizmit të dhunshëm

21 Shtator 2016 - 10:11      

Presidenti shqiptar Bujar Nishani, në kuadër të pjesëmarrjes në punimet e sesionit të 71-të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në Nju Jork, zhvilloi takime dypalëshe me sekretarin e përgjithshëm të OKB-së, Ban Ki-Moon.

Në një njoftim nga Presidenca, bëhet e ditur se Nishani është takuar edhe me presidentin e Republikës së Polonisë, Andrzej Duda, si dhe me presidenten e Republikës së Kroacisë, Kolinda Grabar-Kitarović.

Gjatë takimit me sekretarin e përgjithshëm, Nishani e vlerësoi atë për lidershipin e treguar në iniciativat e ndërmarra nga Organizata gjatë drejtimit të tij, veçanërisht në ato që lidhen me klimën, agjendën për njerëzimin, si dhe planin e veprimit për parandalimin e ekstremizmit të dhunshëm.

“Njerëzit kanë nevojë për shpresë dhe me iniciativat tuaja ju ia keni dhënë këtë”, u shpreh kreu i shtetit.

Presidenti Nishani evidentoi gjithashtu angazhimin e Shqipërisë në zbatimin e këtyre iniciativave në nivel kombëtar, si dhe e siguroi sekretarin e përgjithshëm edhe për rolin pro aktiv të Shqipërisë në forumet ndërkombëtare dhe avancimin e të drejtave të njeriut.

Në takimin me Presidentin polak, Andrzej Duda, Nishani theksoi nevojën e forcimit të mëtejshëm të bashkëpunimit ekonomik e tregtar, i cili është ende larg pritshmërive dhe mundësive reale që kanë të dy vendet.

Duke e falënderuar homologun polak për mbështetjen që Polonia i ka dhënë Shqipërisë veçanërisht në proceset integruese evropiane dhe euroatlantike, Nishani shprehu besimin se kjo mbështetje do të vijojë edhe për marrjen e vendimit të hapjes së negociatave të aderimit në BE.

Mes dy bashkëbiseduesve u fol edhe për mundësitë e bashkëpunimit mes rajoneve evropiane, zhvillimet më të fundit në BE dhe krizën e refugjatëve, si dhe për mundësinë e mbështetjes së kandidaturave reciproke në Organizatën e Kombeve të Bashkuara dhe organizatat e tjera ndërkombëtare.

Gjatë takimit me presidenten kroate, Kolinda Grabar-Kitarović, Nishani vlerësoi ndër të tjera edhe njëherë rolin pozitiv që Kroacia po luan në rajonin e Evropës Juglindore.

Dy bashkëbiseduesit u ndalën në nevojën e forcimit të mëtejshëm të bashkëpunimit rajonal, në funksion të rritjes së mëtejshme të sigurisë dhe stabilitetit të rajonit. 

comments powered by Disqus

038 249 105     [email protected]    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

Ec me kohën...