Pasi e sulmojnë investitorin arab, Shqipëria humb 450 milionë euro investim

20 Shtator 2016 - 15:33      

Omnix Albania, kompania që do të investonte 450 milionë euro në Lalëz, deklaroi tërheqjen e menjëhershme nga të gjitha investimet në Shqipëri.

Vendimi vjen dhjetë ditë pasi presidenti i kësaj kompanie, Fadi Mitri u dhunua fizikisht nga persona, të cilët i kërkuan të largohej nga Shqipëria. 

“Ky akt i rëndë kriminal ja ka dalë që të rrënojë përpjekjet e Omnix Albania për ndërtimin e një kompleksi turistik prej 450 milion USD në Lalëz”, thuhet në deklaratën e kompanisë.

Projekti turistik i miratuar vetëm dy muaj më parë në Këshillin Kombëtar të Territorit parashikonte ndërtimin e një resorti gjigant, që do të punësonte rreth 1200 veta deri në vitin 2018. Sipas Omnix, projekti e shndërronte Shqipërinë në një nga destinacionet kryesore turistike në Ballkan dhe do të kontribuonte në rritjen ekonomike të vendit.

Por dhjetë ditë më parë, disa persona dhunuan fizikisht presidentin e Omnix Fadi Mitri. Policia ka arrestuar një prej autorëve dhe ka shpallur në kërkim dy të tjerë, ndërkohë që motivi i sulmit dyshohet se ka lidhje pikërisht me investimin e kompanisë në Lalëz.

“Omnix Albania dënon ashpër këtë ngjarje të rëndë kriminale, e cila sjellë indinjatë për çdo shqiptar. Duke filluar nga sot Omnix tërhiqet nga çdo investim në Republikën e Shqipërisë”, sqaron deklarata.

Në deklaratën e nënshkruar nga presidenti i grupit Omnix, Jamal Abu Isa, kompania ka falënderuar qeverinë e Shqipërisë për kujdesin që ka treguar ndaj familjes së zotit Mitri në këto momente të vështira për të.

comments powered by Disqus

038 249 105     [email protected]    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

Ec me kohën...