VV: Rrënimi social po ndodh para syve tanë nga Qeveria Pronto

19 Shtator 2016 - 15:43      

Qeveria Pronto ka formalisht politika sociale por praktikisht rrënimi social është duke ndodhur para syve tanë. Isa Mustafa do të mbahet mend po ashtu si Hashim Thaçi si dy kryeministrat me antisocialë në historinë e Republikës së Kosovës.

Kështu ka thënë përmes një konference për media, nënkryetarja e Lëvizjes Vetëvendosje, Fatmire Mulhaxha-Kollçaku, e cila ka folur për gjendjen vend dhe qëndrimet antisociale të Qeverisë së Kosovës.

Mulhaxha-Kollçaku ka listuar problemet që, siç u shpreh ajo, po u rëndohen çdo ditë qytetarëve të Kosovës, veçanërisht kategorive të caktuara.

Nënkryetarja Kollçaku ka thënë se vetë fakti që Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale është caktuar edhe në detyrën e zëdhënësit të Qeverisë, flet për trajtim joserioz të çështjeve sociale. Ajo theksoi edhe “problemin e nepotizmit në punësim”, duke rikujtuar se si në Kosovë punësim gjejnë vetëm ata që kanë lidhje partiake ose familjare me klanin Pronto.

“Çdo herë kur duhet të bëhen shkurtime buxhetore, dhe kur nën presionin e grupacioneve të ndryshme duhet të gjenden disa mjete financiare, kjo qeveri gjithmonë bën shkurtime të kategoritë me të ndjeshme”, deklaroi Mulhaxha-Kollçaku.

Ajo më tej ka folur për ligjin e punës, duke nënvizuar nenin 49, i cili flet për gratë lehona, ku tha se “Qeveria prapë është duke planifikuar shkurtime që shkojnë në dëm të këtyre grave”, si dhe konstatoi se ligji i punës në gati të gjitha entet private nuk zbatohet.

Mulhaxha-Kollçaku shtoi se nuk ka punëtor në Kosovë që i merr pagesat e punës në ditët zyrtare të pushimit apo që i respektohet e drejta e javës 5 ditëshe të punës. E po ashtu theksoi se siguria në punë është në nivelin zero, e që sigurimi nuk paguhet me kohë dhe shpesh nuk paguhet fare.

Ajo ka folur edhe për asistencat sociale, për të cilat ka thënë se Qeveria tregohet diskriminuese, duke ua ndërprerë ose zvogëluar kategorive të caktuara në momentet kur nevojat e tyre rriten me rritjen e fëmijëve.

Në fund u theksua se të pafuqishmit, të pambrojturit nuk gjejnë vend në vëmendjen e ekzekutivit ngase “hapësirat e këtyre institucioneve publike janë uzurpuar nga klani Pronto dhe familjarët e tyre, të cilët e kanë groposur ekonomikisht Kosovën dhe po e pamundësojnë çfarëdo politike që synon mirëqenien sociale”. 

comments powered by Disqus

038 249 105     [email protected]    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

Ec me kohën...