Maqedonia ende pa vullnet për të respektuar gjuhën shqipe në gjithë vendin

18 Shtator 2016 - 17:22      

Implementimi i gjuhës shqipe në të gjithë territorin e Republikës së Maqedonisë është e drejtë kushtetuese pavarësisht se cila parti politike e ngrenë si iniciativë.

Kështu vlerësojnë ekspertët juridikë, sipas të cilëve edhe sikur koalicioni opozitar të vinte në pushtet, nuk do të ketë mundësi për ndryshime kushtetuese pasi që do të përballet me numrin e pamjaftueshëm të votave.

Megjithatë, gjithnjë sipas ekspertëve, nuk ka kurrfarë pengesë që të implementohen dispozitat aktuale kushtetuese për përdorimin e gjuhës shqipe, në frymën e Marrëveshjes së Ohrit.

“Koalicioni i ardhshëm edhe po t’i fitojë zgjedhjet, pra koalicioni opozitar, nuk do të ketë numrin e mjaftueshëm prej 82 votave në parlament për ta ndryshuar kushtetutën edhe pse koalicioni i ardhshëm nuk do t’i ketë votat, mendoj se ka mundësi të mjaftueshme me zbërthim afirmativ të kushtetutës dhe të frymës së Marrëveshjes së Ohrit që të bëhen avancime të dukshme në gjuhë dhe në kulturë duke përfshirë edhe përdorimin e gjuhës në gjithë territorin e shtetit”, tha për Alsat M, Mersel Bilalli, ekspert juridik.

Ndërkaq, Mersim Maksuti mendon se deklarata e liderit të opozitës maqedonase e dhënë ditë më parë, mund të konsiderohet si një moment i ri pozitiv. Sipas Maksutit Zaev e ka kuptuar se pa shqiptarët nuk mund të ketë stabilitet në vend.

“Tashmë Zaev e ka pranuar se shqiptarët në këtë vend paraqesin një realitet të pamohueshëm kur duhen pranuar të drejtat e tyre në tërësi, përfshirë edhe zyrtarizmin e gjuhës shqipe në të gjithë territorin e këtij vendi. Dhe pa mëdyshje se iniciativa dhe deklarata e tij duhet përshëndetur duke pasur parasysh se partitë tona politike që na përfaqësojnë asnjëherë nuk morën iniciativën që në mënyrë serioze të çojnë avancimin e zyrtarizmit të plotë të gjuhës shqipe në Maqedoni”, u shpreh Mersim Maksuti, ekspert juridik.

Sipas ekspertëve të lartpërmendur Amendamenti i cili e rregullon çështjen e gjuhës shqipe, e trajton atë si gjuhë zyrtare në të gjithë territorin e Republikës. Pasuset e mëposhtme vetëm se definojnë linjën nën të cilën nuk duhet të kalohet por asgjë nuk ndalon që të shkohet përpara

comments powered by Disqus

038 249 105     [email protected]    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

Ec me kohën...