Ramiz Kelmendi futet përsëri në llogaritje, mund të marrë postin e zv.kryeministrit

18 Shtator 2016 - 16:38      

Lëshimi i postit të zëvendëskryeministrit nga Kujtim Shala (LDK), duket që ka riaktualizuar dëshirën e biznesmenit Ramiz Kelmendi që të marrë postin për të cilin kishte dhënë dorëheqje pas 15 vjet qëndrimi në AAK, dhe aderimit në Partinë Demokratike të Kosovës, nga e cila doli pas dy viteve si rezultat i mos realizimit të premtimit të këtij posti nga ish-kryetari i PDK-së, Hashim Thaçi.

Deputeti tani i pavarur dhe biznesmeni, Ramiz Kelmendi në një prononcim për KosovaPress, tha se po flitet që ai të bëhet zëvendëskryeministër, por që ende nuk ka marrë ndonjë ofertë konkrete. Ai ka shtuar se nëse do ta merrte, do ta pranonte me shumë dëshirë, pasi që nga posti i zëvendëskryeministrit do ta realizonte edhe synimin e tij që të ndihmojë në zhvillimin ekonomik.

“ Po, po flitet, mirëpo ende nuk kam marrë një ofertë konkrete, por sigurisht është e pëlqyeshme nga ana ime, sepse qëllimi im është që gjithmonë me kontribu në zhvillim ekonomik, dhe mundësia më e mirë është si zëvendëskryeministër për të realizuar qëllimet e mia”, tha Kelmendi, transmeton kosovapress.

Në lidhje me ketë edhe përkundër përpjekjeve nga KosovaPress, zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Arban Abrashi, nuk është përgjigjur telefonatave. Kurse, burime t brenda Partisë Demokratike të Kosovës e pranojnë ketë, e cila sipas tyre pritët të bëhet në kuadër të ndryshimeve brenda qeverisë aktuale, duke thënë se nëse Kelmendi emërohet zëvendëskryeministër, ai do të rikthehet në këtë parti.

Ramiz Kelmendi, pas 15 vjet qëndrimi në AAK, më 7 maj 2014-të, ishte larguar nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, pikërisht në ditën kur u shpërndarë Parlamenti i Kosovës për të shkuar në zgjedhje të jashtëzakonshme.

Në legjislaturën e kaluar, Kelmendi ishte deputet i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës. Këtë e kishte bërë të ditur vetë Kelmendi përmes një letre dërguar AAK-së.

“Kam falënderime të mëdha për kryetarin Haradinaj, koleg dhe anëtarë të kryesisë e mbi të gjitha për votuesit që kanë qenë mbështetja ime kryesore. Unë ju kam qëndruar besnik parimeve të AAK-së dhe me çdo mundësi time kam punuar në favor të kësaj partie. Sot para jush deklaroj zyrtarisht që tërheqja ime ka të bëjë me çështje subjektive. Edhe njëherë ju falënderoj të gjithëve dhe puna ime për zhvillim dhe në funksion të vendit nuk përfundon këtu pasi që unë çdo herë do të jem mbështetës dhe ideator për shumë projekte të cilat do të jenë në funksion të zhvillimeve ekonomike në vend”, thuhet në letrën e tij dërguar më 7 maj 2014-të.

Edhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës përmes një deklarimi për media kishte njoftuar se e kanë pranuar dorëheqjen e Ramiz Kelmendit.

Tri ditë me vonë, pikërisht më 10 maj 2014-të, Ramiz Kelmendi aderoi në Partinë Demokratike të Kosovës. Në një konferencë për media, në prezantimin e tij, ish-kryetari i PDK-së, Hashim Thaçi kishte deklaruar se Ramiz Kelmendi “po i bashkohet listës fituese dhe misionit të ri për zhvillim ekonomik dhe krijim të vendeve të reja të punës”, duke i premtuar edhe pozitë ekzekutive nëse kjo parti e merr pushtetin.

Ndërsa, anëtari më i ri i PDK-së, Ramiz Kelmendi, kishte thënë se ka vendosur të jetë pjesë e PDK-së, duke qenë se ka parë që në këtë parti do ta realizojë planin e tij ambicioz për zhvillim ekonomik dhe krijim të vendeve të reja të punës. Ai kandidoi për deputetë në zgjedhjet e 8 qershorit 2014-të dhe u zgjodh deputetë i PDK-së.

Por me krijimin e Qeverisë së Kosovës nga PDK dhe LDK, Ramiz Kelmendi nuk mori postin e premtuar si zëvendëskryeministër.

Më vonë, ai fillojë të ndahet i pakënaqur me atë që po ofron qeveria e re. Ketë e kishte deklaruar në një intervistë për KosovaPress në janar të këtij viti.

“Prodhuesit dhe bizneset vendore prisnin më shumë lehtësira dhe përkrahje në vitin 2015 nga Qeveria e re e Kosovës. Pritjet tregonin për gjasat e një zhvillimi ekonomik shumë më të shpejtë, duke u përcjellë me punësimin dhe zhvillim sipas parametrave që janë thënë gjatë fushatave zgjedhore. Por kjo nuk ndodhi, pati ngecje”, kishte deklaruar ndër të tjera Kelmendi.
Pas largimit të Hashim Thaçit nga posti i zëvendëskryeministrit dhe marrjes së pozitës së Presidentit të Kosovës, z. Kelmendi, duket se i rriten përsëri apetitet, pasi ky vend mbeti i zbrazët dhe i takonte Partisë Demokratike të Kosovës.

Por pakënaqësia e tij fillojë të rritet pasi nuk po i realizohej premtimi, arsye për të cilën Kelmendi kishte aderuar në atë parti.

Kelmendi në një intervistë, pak para largimit, ka thënë se arsye e shkuarjes në PDK dhe kyçjes në Qeveri është se “ka menduar që kontributin dhe përvojën shumë vjeçare që ka, ta jap drejtpërdrejtë duke i menaxhuar disa ministri”.

“Ne e kemi plotë gojën sot fjalë, zhvillim ekonomik dhe kemi premtuar 200 mijë vende të punës, dikush 120 mijë, dikush 160 mijë, ato numra i kam kuptuar seriozisht, nuk e kam kuptuar si një fushatë zgjedhore dhe se me i realizuar, ajo është e domosdoshmëri. Qytetarët kanë nevojë për ato vende të punës dhe kam menduar që me kyçjen time në këtë formë ka pasur mundësi me u realizuar më shpejtë zhvillimi ekonomik , tha Kelmendi.

Dhe pas përpjekjeve dhe “kërcënimi” gati dy mujor brenda PDK-së, për të marrë postin, kërcenim të bërë edhe përmes mediave, dhe pas refuzimit të po kësaj parti për t’i dhënë ketë postë, më 29 prill të këtij viti, Kelmendi jep përfundimisht dorëheqje nga Partia Demokratike e Kosovës.
Ramiz Kelmendi, tani është deputet i pavarur i Parlamentit të Kosovës dhe se bashku me 5 deputet të tjerë nuk është pjesë e asnjë grupi parlamentar.

comments powered by Disqus

038 249 105     [email protected]    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

Ec me kohën...