Apostolova premton angazhim për liberalizimin e vizave

16 Shtator 2016 - 14:43      

Kosova shumë shpejt do ta ketë liberalizimin e vizave dhe do të jetë shpejt edhe pjesë e Bashkimit Evropian, sepse vendi ynë ka vetëm një të ardhme, e ajo është e ardhmja perëndimore. Kështu tha kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli pas një takimi njoftues me shefen e re të Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Nataliya Apostolova.

Veseli tha se kanë sfida, por prioritet mbetet kryerja e obligimeve të cilat i takojnë Kosovës në rrugëtimin drejt BE-së. Sipas tij, prioritet mbetet forcimi i ekonomisë, forcimi i shtetit ligjorë, lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

“Kosova e ka vetëm një të ardhme, ajo është e ardhme perëndimore. Kosova i takon Evropës, shumë shpejt do të jetë pjesë e Bashkimit Evropian. Jemi të vetëdijshëm për sfidat, të cilat i kemi, do t’i kryejmë të gjitha obligimet të cilat Kosovës i takojnë në rrugëtimin e vet drejt Bashkimit Evropian. Prioritet i yni është forcimi i ekonomisë, forcimi i shtetit ligjorë, lufta kundër korrupsionit, krimit të organizuar”, tha Veseli.

Ai tha se do të vazhdojnë me procesin e dialogut të brendshëm dhe në të njëjtën kohë me të gjitha shtetet fqinje.

“Do të vazhdojmë procesin e dialogut të brendshëm dhe në të njëjtën kohë me të gjithë fqinjët për arsye se është në interesin e vet shtetit tonë të pavarur dhe sovran, është në interesin e Evropës, në interesin global të një investimit, të cilin në Kosovë e ka bërë të veçantë Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian. Ne e biseduam se do të vazhdojmë bashkëpunimin e përbashkët. Rrugëtimi i Kosova ka filluar edhe formalisht me BE, Marrëveshja e Stabilizim Asocimit, presim shumë shpejt që liberalizimi i vizave të jetë një çështje e kryer për arsye se më tepër është barrë morale e Bashkimit Evropian si qytetarë më pro evropian në Evropë të jenë ende të izoluar, ne presim shumë shpejt që të kemi vendim pozitiv”, tha ai.

Shefja e re e Zyrës së BE në Prishtinë, Nataliya Apostolova, tha ishte takimi i tyre i parë dhe janë duke shqyrtuar mundësinë e bashkëpunimit të afërt me kreun e Kuvendit të Kosovës, pasi në kulturën dhe sistemin demokratik të Evropës, rol të rëndësishëm luan Parlamenti.

Ajo tha se Kosova është pjesë e shoqërisë evropiane dhe janë të interesuar në zbatimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asocimit.

“Ne jemi investitorët e juaj më të mëdhenj, partnerët e juaj më të rëndësishëm dhe përkrahësit kritik. Ne do të punojmë së bashku në zbatimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit, do të punojmë për dialogun. Kreu i Kuvendit e përmendi dialogun jo vetëm mes Kosovës dhe Serbisë, por edhe pajtimin me Serbinë dhe unë pajtohem me të, ne do të punojmë dhe për liberalizimin e vizave”, tha Apostolova.

Shefja e BE-së në Kosovë, tha se janë këtu për ta përkrahur kryetarin Veseli për probleme të ndryshme.

comments powered by Disqus

038 249 105     [email protected]    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

Ec me kohën...