15 Shtator 2016 - 15:58
Gjatë kësaj konference, në fjalën e tij ministri i Infrastrukturës Lutfi Zharku, theksoi se sistemi i transportit është komponentë e domosdoshme në përkrahjen e zhvillimi ekonomik te çdo vendi i cili kushtëzohet nga madhësia e vendit, gjendja ekonomike, burimet natyrore dhe faktorë të tjerë që së bashku paraqesin bazën e zhvillimit të një sistemi efikas dhe efektiv të transportit për kontribut në gjenerimin e rritjes së qëndrueshme ekonomike.
Duke e marrë parasysh se sistemi i transportit hekurudhor ka një rëndësi të veçantë në zhvillimin ekonomik, Qeveria e Kosovës që nga viti 2011 ka ndërmarrë veprimet me të cilat ka bërë ndryshime në organizimin e sistemit hekurudhor, i cili konsistoi në ndarjen e Hekurudhave të Kosovës në dy subjekte ekonomike: “Infrakos”, që është përgjegjës për menaxhimin, mirëmbajten dhe zhvillimin e infrastrukturës hekurudhore, dhe “Trainkos”, që është përgjegjës për ofrimin e shërbimeve të transportit të udhëtarëve dhe mallrave.

Krahas kësaj, Kosova ka adaptuar legjislacionin që mundëson hapjen e tregut për operatorët tjerë hekurudhor me çka do të bëhet ofrimi i shërbimeve cilësore për në transportin e udhëtarëve dhe mallrave. Ky legjislacion ka mundësuar që sot të kemi edhe një operator të dytë të licencuar për transportin e mallrave në Kosovë, që presim shumë shpejt të fillojë së operuari.
Me qëllim të integrimit të rrjetit hekurudhor në rrjetin Pan-Evropian, Kosova është bërë anëtare e Observatorit të Transportit të Evropës Juglindore (SEETO). Ky anëtarësim ka mundësuar që të stimulohet zhvillimi i infrastrukturës së transportit në Evropën Juglindore. Në qershor të viti 2014 është nënshkruar memorandumi i mirëkuptimit për zhvillimin e rrjetit të transportit qendror rajonal me në nivel qeveritar në mes të këtyre shteteve rajonale: Shqipërisë, Bosnje e Hercegovinës, Kroacisë, Maqedonisë, Serbisë, Malit të Zi, Kosovës dhe Komisionit Evropian. Qëllimi i këtij memorandimi ishte bashkëpunimi në zhvillimin e infrastrukturës kryesore dhe asaj ndihmëse në rrjetin qendror rajonal të transportit multimodal të Evropës Juglindore dhe fuqizimi i politikave në këtë fushë me qëllim të mbështetjes së zhvillimit ekonomik rajonal.
Rrejti hekurudhor i Kosovës shtrihet në një gjatësi prej 333 kilometra të cilat janë të paelektrifikuara, standarde dhe njëdrejtimshe. Linja kryesore shtrihet nga kufiri verior i Kosovës në Leshak deri në Han të Elezit. Kjo linjë ka një gjatësi prej 148 kilomtetrash dhe është pjesë e rrjetit bazë hekurudhor të SEETO-s, e njohur si rruga 10. Linjat tjera përfshijnë linjat Fushë Kosovë - Pejë, Klinë - Prizren dhe Fushë Kosovë – Prishtinë - Podujevë.
Infrastruktura hekurudhore në Kosovë është e vjetruar dhe nuk është në gjendje të përmbushë nevojat e udhëtarëve dhe mallrave. Andaj, Qeveria e Kosovës përmes strategjisë dhe planit të veprimit ka orientuar investimet strategjike në sektorin hekurudhor siç janë:
-Modernizimi i linjës 10, projekt i cili është në fazën e zbatimit.
-Kryerjen e studimit të fizibilitetit për ndërtimin e linjës hekurudhore që lidhë Kosovën me Shqipërinë me qendrat kryesore dhe portet e saj.
-Kryerjen e studimit të tregut për t’i analizuar nevojat e Kosovës, për terminale multimodale dhe për të përcaktuar vendin e tyre në rrjetin e terminaleve intermodale në Ballkan dhe lidhjen e tyre me qendrat e distribucionit dhe logjistikës në rajon.
Përderisa transporti i mallrave zhvillohet përmes porosive nga klientët dhe bizneset, transporti i udhëtarëve zhvillohet në linjat e rregullta hekurudhore sipas orarit që miratohet çdo fundvit. Duhet cekur se një kategori e udhëtarëve siç janë fëmijët studentët dhe të moshuarit subvencionohen nga Ministria e infrastrukturës. Aktualisht linjat e transportit të udhëtarëve janë funksionale në relacionet vajtje-ardhje për Prishtinë - Pejë dhe Prishtinë - Hani i Elezit - Shkup.
Investimet në infrastrukturën hekurudhore si dhe ato në modernizimin e mjeteve motorike dhe gjenerimin e tyre, përkrahja e vazhdueshme financiare për “Trainkos” dhe “Infrakos” dëshmon që Qeveria e Kosovës po angazhohet të arrijë synimet e saja që shërbimet e transporti hekurudhor të jenë në nivel vendet e rajonit. Bazë për këtë është edhe implementimi i strategjisë sektoriale dhe transportit multimodal 2015-2025 dhe plani i veprimit pesëvjeçar, të cilat janë miratuar në shtator të vitit të kaluar nga Qeveria e Kosovës.
Investimet e vazhdueshme, synimet strategjike, bashkëpunimi rajonal dhe orientimi për integrimin e rrjetit hekurudhor vendor në Rrjetin Hekurudhor Pan-Evropian, janë dëshmia më e mirë se Qeveria e Kosovës ka filluar zhvendosjen e fokusit nga invetimet në rrjetin rrugor në atë hekurudhor.
Natyrisht, të gjitha këto investime nuk do të mund të arriheshin pa përkrahjen e pa rezervë të Komisionit Evropian përmes granteve në rehabilitimin e linjës hekurudhore 10, si dhe huave të partnerëve tanë strategjik BERZH-it dhe Bankës për Investime Evropiane”.
Ndërsa, Luigj Brusa, shef i Sekotrit për bashkëpunim në Zyrën e Bashkimit Evropian në Kosovë, vlerësoi se rehabilitimi i infrastrukturës hekrudhore në Kosovë është i domosdoshëm. Pas këtij rehabilitimi hekurudhat e Kosovës do të jenë të integruara në kuadër të hekurudhave të Ballkanit dhe Evropës.
Në anën tjetër, Donald Mishaxhiu nga BERZH, vlerësoi se rindërtimi i linjës hekurudhore Leshak-Hani i Elezit do të realizohet përmes projekteve të BERZH-it, BE-së dhe Bankës Botërore në vlerë prej 160 milionë euro. Ai tha se ky projekt pritet që të realizohet në afatin kohor prej 3 viteve.
Piere Vichkers nga Banka Evropiane për Investime, theksoi se rehabilimi i hekurudhave do të realizohet përmes projekteve me kredi. Banka Evropiane për Investime ka ofruar ndihmën e saj për projektin hekurudhor të linjës 10-të pjesës infrastrukturore, pasi që në Kosovë përdorimi i linjave hekurudhore është i ulët.
Në konferencë u diskutuan edhe tema të tjera.
Në këtë konferencë morën pjesë përfaqësues nga: Ministria e Infrastrukturës, BERZH, MF, MZHE, IFN BEI, EU, BB, Autoriteti Rregullativ i Hekurudhave, SEETO, Infrakos Sh.A etj.
17 Shkurt 2017 - 00:15
16 Shkurt 2017 - 23:49
16 Shkurt 2017 - 23:41
16 Shkurt 2017 - 23:18
16 Shkurt 2017 - 23:17
Ec me kohën...