Nisin punimet në zgjerimin e rrugës nacionale Podujevë – Prishtinë

14 Shtator 2016 - 12:57      

Ministri i Infrastrukturës, Lutfi Zharku, së bashku me kryetarin e Komunës së Podujevës, Agim Veliu, përuruan rikonstruktimin e rrugës regjionale R 126, segmenti Pollatë – Reçicë (te kulla e Demë Ahmetit), te Ura në fshatin Sllatinë dhe fillimin e punimeve për zgjerimin e rrugës Nacionale N 25, segmenti rrethrrotullimi Besi - Podujevë, Loti 5, te kyçja e parë për Podujevë nga drejtimi i Prishtinës.

 

Zharku uroi Veliun dhe banorët e komunës së Podujevës për këto projekte me rëndësi të madhe, të cilat po realizohen nga Ministria e Infrastrukturës.

“Besoj që sot është një ditë e madhe për banorët e Podujevës, sepse po fillojmë një ndër projektet më të mëdha në Republikën e Kosovës, projekti i zgjerimit të rrugës Podujevë-Besi deri në Prishtinë. Sot po fillojmë vetëm segmentin e parë, kurse segmentet e tjera do t’i vazhdojmë në muajt në vijim. Kjo rrugë do të ketë katër korsi, trotuar, ndriçim, që do të thotë se po ndërtojmë një rrugë me standarde evropiane”, tha ministri Zharku.

Ai theksoi se së bashku me kryetarin, zëvendësministritat, deputetët e pranishëm dhe bashkëpunëtorët e tjerë kanë përuruar përfundimin e punimeve të rrugës Pollatë-Reçicë-Demë Ahmetaj, një projekt me gjatësi prej 8.7 kilometrash dhe me vlerë rreth 1.5 milion euro.

Ndërsa projekti tjetër, segmenti i parë, sipas Zharkut, ka një gjatësi prej 4.3 kilometrash dhe ka vlerën prej 3.9 milionë eurosh.

“Fazat e tjera do t’i vazhdojnë në muajt në vijim”, theksoi ministri Zharku.

Ndërsa kryetari Veliu e falënderoi Ministrinë e Infrastrukturës për investimet e bëra në infrastrukturën e komunës së Podujevës dhe uroi banorët e kësaj komune për këtë ngjarje shumë të veçantë.

“Sot po fillon zgjerimi i rrugës, projekt që ne si qytetarë, banorë, por edhe si udhëheqje e Komunës e kemi pritur gjatë. Me këtë rast e falënderoj Qeverinë dhe Ministrinë e Infrastrukturës për mjetet e ndara. Besoj se me rregullimin e kësaj rruge do të krijohen kushte më të mira për qarkullim. Do të zvogëlohet numri i aksidenteve me fatalitet, që fatkeqësisht në këtë rrugë ndodhin çdo vit. Gjithashtu do të kurset koha, mjetet financiare dhe do të lehtësohet qarkullimi i njerëzve, bizneseve etj. Shpresojmë që punëkryesi do t’i kryejë punët sipas kontratës. Urime të gjithëve”, theksoi kryetari Veliu.

Rikonstruktimi i rrugës regjionale R126, segmenti Pollatë – Reçicë (te kulla e Demë Ahmetit) dhe zgjerimi i rrugës nacionale N25, segmenti rrethrrotullimi Besi-Podujevë, Loti 5 janë investim i Ministrisë së Infrastrukturës.

Përveç këtyre projekteve, MI gjatë këtij viti në komunën e Podujevës do të investojë edhe në këto projekte:

• Asfaltimi i rrugës për nevojat e Burgut të Sigurisë së lartë në Gërdoc;

• Asfaltimi i rrugëve në qytetin e Podujevës;

• Asfaltimi i rrugëve në fshatrat: Dobërdol, Majac, Merdar, Kushevicë, Batllavë-Dyz dhe Herticë-Surdullë;

• Asfaltimi i Rrugës Ballaban – Orllan.

 

comments powered by Disqus

038 249 105     [email protected]    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

Ec me kohën...