Serbët i pengon “grupi i punës”, njohin vetëm Ekipin Menaxhues për AKS-në

13 Shtator 2016 - 12:33      

Paralajmërimi i ministres për Dialog, Edita Tahiri, se Qeveria e Kosovës do të emërojë një grup pune për hartimin e statutit të Asociacionit/Bashkësisë së Komunave Serbe, ka ndeshur në kundërshtime të serbëve të Kosovës, dhe konsiderohet si një përpjekje e re në vargun e shumëve sosh për obstruksion ndaj formimit të AKS.

Nëse me të vërtetë ndodh formimi i ndonjë “grupi paralel”, sipas paralajmërimeve jozyrtare, Ekipi Menaxhues serb për formimin e AKS-së do të kërkojë mbrojtje nga Brukseli, shkruan sot “Novosti” i Beogradit, transmeton Koha.net.

Sipas marrëveshjes së arritur më përpara, për hartimin e statutit të AKS-së është i autorizuar vetë Ekipi Menaxhues, i formuar qysh më 2013, përbërja e të cilit u ndryshua javën e shkuar, në të cilin u përfshinë edhe përfaqësuesit e pjesë jugore të Krahinës, siç vazhdojnë ta quajnë serbët shtetin e pavarur të Kosovës.

Tahiri ka thënë se “grupi i punës” për statutin do të punojë bashkë me përfaqësuesit e OSBE-së, të Zyrës së BE-së në Prishtinë dhe se do të konsultohet me zyrtarët për çështje politike të angazhuar në ambasadat perëndimore.

Përfaqësuesja e lartë e BE-së, Federica Mogherini ia ka thënë dje shefit të diplomacisë së Kosovës, Enver Hoxhajt, se është “me rëndësi thelbësore” zbatimi i të gjitha marrëveshjeve të arritura në dialogun midis Beogradit e Prishtinës dhe se “të dy palët duhet të bëjnë hapa domethënës pa vonuar” për realizimin e tyre.

Sipas informatave tona, shkruan “Novosti”, Ekipi Menaxhues do t’ia bëjë me dije Brukselit çdo shmangie të marrëveshjes së arritur që kanë të bëjnë me AKS-në, duke u mbështetur posaçërisht në nenin 21 të Parimeve të harmonizuara në gusht të vitit të kaluar. Në to theksohet se statutin e AKS-së “e harton Ekipi Menaxhues me ndërmjetësimin, nëse kjo do të ketë nevojë, edhe të Ministrisë së Administratës dhe të Pushtetit Lokal”.

Ministri i kësaj Ministrie, Lubomir Mariq ia ka konfirmuar “Novostit” se sipas Marrëveshjes dhe planit të implementimit vetëm Ekipi Menaxhues është i autorizuar të punojë projektin e statutit:

-Nëse do të jetë e nevojshme, ai mund të kërkojë ndihmë profesionale nga jashtë, por askush nuk mund të ndikojë në atë se çfarë vendimesh do të marrë.

Nga Zyra për Kosovën (në Qeverinë e Serbisë – plotësim ynë) thonë se në asnjërën nga marrëveshjet për AKS-në askund nuk përmendet “grupi i punës” dhe shtojnë:

-Presim që Ekipi Menaxhues së shpejti t’ia dorëzojë tekstin e statutit Brukselit për harmonizim të mëtejshëm.

comments powered by Disqus

038 249 105     [email protected]    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

Ec me kohën...