Foto: Koha

Komunat shkelin ligjin, s’e vendosin fotografinë e Presidentit [video]

12 Shtator 2016 - 20:04      

Fotografia e Presidentit të Kosovës duhet të jetë e vendosur në të gjitha institucionet publike të Kosovës, pavarësisht nivelit lokal apo qendror.

Kjo është e rregulluar me nenin 20 të Ligjit për Protokollin e shtetit, ku paragrafi 3 i tij obligon të gjitha institucionet e shtetit që në mjediset e tyre ta vendosin fotografinë e presidentit, përmasat e së cilës duhet të jenë 40-60 centimetra, raporton KTV.

Derisa ka edhe një rregullore ku specifikohen institucionet të cilat e kanë obligim kushtetues vendosjen e saj, shumë kryetarë komunash po vazhdojnë të shkelin këto ligje e po ashtu edhe nenin 4 të kësaj Rregulloreje.

Kreu i Graçanicës, Vladeta Kostiq, nuk e ka në plan që fotografinë e presidentit të Kosovës ta vendosë në zyrën e tij ose diku në objektin e komunës.

Kostiq, i cili nuk specifikon nëse e njeh Republikën e Kosovës, thotë se luan me rregullat e lojës, në bazë të të cilave është zgjedhur kryetar komune.

Ai thotë se fotografinë e Thaçit nuk e ka vendosur, pasi sipas tij nuk do të lëndojë ndjenjat e asnjë komuniteti.

Zëvendësministri i Pushtetit Lokal, Bajram Gecaj, ka pranuar se kanë probleme me mosrespektimin e simboleve shtetërore nga komunat me shumicë serbe, por thotë se problemin e njëjtë e kenë edhe me komunën e Prishtinës.

Tensione dhe zhurmë për fotografinë e Presidentit Thaçi ka pasur edhe në Komunën e Malishevës, që udhëhiqet nga Nisma për Kosovën e Fatmir Limajt.

Po ashtu, simbolet shtetërore të Kosovës nuk përdoren as nga zyra ndërlidhëse e Kosovës në Serbi, kjo pasi për Qeverinë e Serbisë përdorimi i vulave me stemat e Republikës së Kosovës përbën problem politik.

Edhe zëvendësi i Kryeministrit, Branimir Stojanoviq nuk respekton, jo vetëm simbolet shtetërore, por edhe gjuhën zyrtare.

comments powered by Disqus

038 249 105     [email protected]    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

Ec me kohën...