Foto: Koha / arkiv

Pajaziti: Dhuna e opozitës pengoi institucionet të kryejnë punën e vet

10 Shtator 2016 - 16:59      

Kryetari i Degës së PDK-së në Gjilan, njëherësh shef i Grupit Parlamentar të PDK-së në Kuvendin e Kosovës, Zenun Pajaziti, ka folur për çështjen e shënjimit të vijës kufitare në mes Kosovës dhe Malit të Zi.

Pajaziti ka thënë se qytetarëve të vendit u është imponuar agjenda e opozitës për çështjen e demarkacionit. Sipas tij, institucionet e Kosovës nuk kanë mundur të kryejnë punën e tyre, si pasojë e përdorimit të dhunës.

“Qytetarëve padrejtësisht iu ka imponuar agjenda politike e opozitës për demarkacionin… dhe, fatkeqësisht, si rrjedhojë e përdorimit të dhunës, institucionet e vendit ishin të penguara në punën e tyre normale. Prandaj, pa dashur ta paragjykojmë drejtësinë, përdorimi i dhunës dhe çdo veprim i dhunshëm mbi institucionet dhe shtetin, duhet të trajtohet me ligj”, citon KP Pajazitin.

Siç u shpreh ai, “Partia Demokratike e Kosovës tashmë ka qëndrim të qartë për marrëdhëniet me fqinjët, për proceset integruese të vendit, për partneritetin me BE, SHBA dhe partnerët e ndryshëm ndërkombëtarë, si dhe për ruajtjen e sovranitetit e kushtetueshmërisë së vendit…”, ka thënë Pajaziti.

Pajaziti, në takimin e Kryesisë së Degës në Gjilan ka folur edhe për nivelin lokal të qeverisjes komunale në Gjilan. Ai ka thënë se qytetarët e Gjilanit e shohin PDK-në si alternativën më serioze, për shkak të, siç ka thënë ai, zhgënjimeve të thella me qeverisjen e Lutfi Hazirit.

“Përshkak të zhgënjimeve të thella me qeverisjen komunale në Gjilan, qytetarët e shohin PDK-së si të vetmen alternativë serioze”, ka thënë Pajaziti.

Sipas njoftimit për media, ai ka kërkuar një mobilizim partiak e qytetarë, për ta ndryshuar gjendjen në të mirë të qytetarëve.

Nga ky takim, anëtarët e kryesisë së degës, kanë marr detyra konkrete në kuadër të agjendës katër mujore të degës, deri në mbylljen e këtij viti kalendarik dhe planifikimin deri në fazën parazgjedhore.

“Strukturat e degës dhe anëtarësia në përgjithësi , janë të gatshme dhe të vendosur për jetësimin e platformës së PDK-së për dhënien fund të kësaj qeverisjeje të zhytur në kaos e anarki, dhe rikthimin e epokës së re të zhvillimit e prosperimit të qytetit të Gjilani dhe qytetarëve tanë”, thuhet në fund të njoftimit të degës së PDK-së në Gjilan.  

comments powered by Disqus

038 249 105     [email protected]    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

Ec me kohën...