10 Shtator 2016 - 13:56
Këtë e ka bërë të ditur në një intervistë për KosovaPress, kryetar i Bordit të Autoritetit Rregullativ i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (ARKEP), Kreshnik Gashi. Të martën e ardhshme në Bruksel do të mbahet takimi përfundimtar për çështjen e kodit telefonik. Gashi ka pranuar se ka operime ilegale në pjesë të caktuara të Kosovës.
Ai tha se tashmë pala serbe me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian do të heqë bllokadën në ITU.
“Që nga java e ardhshme, pala serbe do ta heq këtë bllokadë dhe Kosova mund të pajiset me kod në fillim të tetorit të këtij viti. Pritet që me përfundimin e këtij raundi të fundit për telekomin të arrihet marrëveshje që në tetor të këtij viti të publikohet në ITU, dhënia e kodit telefonik për Kosovën. Të martën e ardhshme, më datën 13 shtator pritet të mbahet takimi përfundimtare për çështjen e kodit telefonik. Sigurisht janë mbajt një varg takimesh dhe pala kosovare qysh në fillim të këtij viti i ka përmbushur gjitha obligimet që ka pasur në raport me dialogun shtetëror me Serbinë i ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, në lidhje me telekomin, ka qenë pala serbe e cila e ka bllokuar dhënien e kodit për Kosovën deri më tani nëpërmjet mekanizmave të tyre në ITU”, tha Gashi.
Gashi ka shtuar se sipas marrëveshjes, do të licencohet një operator mobil serb i cili do të ketë licencë të përkohshme deri në shpalljen e tenderit për operatorë të tretë mobil në Kosovë.
“Do të kemi një operator të përkohshëm i cili operon në pjesë të caktuara të territorit të Kosovës. Kanë operuar ilegalisht tre operatorë ilegalë, kjo është e përcaktuar në bazë të marrëveshjes së telekomit dhe planit të veprimit nga dy kryeministrat. Gjithashtu, kjo pritet të ndodhë me kompletimin e kësaj marrëveshje dhe marrjen e kodit telefonik për Kosovën. Operatori do të fillojë të funksionojë legalisht në Kosovë. Aktualisht ka operime ilegale në pjesë të caktuara të Kosovës, mirëpo, marrëveshja për telekomin e parasheh normalizimin e plotë të sektorit të telekomit në Republikën e Kosovës, do të thotë do të kemi një operim të përkohshëm i cili do të largohet nga Kosova me hyrjen e operatorit të tretë.... Procedurën e aplikimit ata e kanë filluar në janar të këtij viti, mirëpo, ende nuk është arritur marrëveshja e plotë si do të operojnë plotësisht ata në Kosovë”, tha Gashi.
Kryetari i ARKEP, bënë të ditur se të gjithë operatorët mobil dhe shërbimet e telekomunikimit janë të obliguar të shfrytëzojnë prefiksin e ri të Kosovës +383.
“Çdo operator tjetër dhe telefoni fikse në Kosovë do të obligohen ta përdorin një prefiks që do të jetë prefiksi i Kosovës 383, edhe pala serbe edhe operimi i tyre do të obligohet ta shfrytëzojë prefiksin e Kosovës 383, sigurisht operimi i tyre do të jetë i limituar në disa zona të caktuara, në lokacionet aktuale ku ata vetëm janë duke operuar”, tha Gashi.
Kodi telefonik për Kosovës është dashur të jepet në fillim të këtij viti por pala serbe ishte ajo që kishte bllokuar këtë proces.
17 Shkurt 2017 - 00:15
16 Shkurt 2017 - 23:49
16 Shkurt 2017 - 23:41
16 Shkurt 2017 - 23:18
16 Shkurt 2017 - 23:17
Ec me kohën...