AShAM konteston origjinën e Nënës Terezë

6 Shtator 2016 - 21:00      

Akademia e Shkencave të Maqedonisë konteston prejardhjen shqiptare të Nënë Terezës. Gjatë një eventi përkujtimor të ASHAM-it kushtuar shenjtërimit të Terezës nga Vatikani, kryetari i saj Taki Fiti deklaroi se Nënë Tereza rrjedh nga një familje me prejardhje të përzier etnike.

Ngjarja e jetës së Nënë Terezës, dëshmon se në hapësirat tona kanë jetuar në paqe, tolerancë dhe mirëkuptim të ndërsjellë njerëzit me përkatësi të ndryshme fetare dhe etnike. Ajo rrjedh nga një familje me prejardhje të përzier nacionale. Mesazhet e thella humane nga vepra dhe angazhimi i Nënë Terezës sot duhet të jenë të thurura në të gjitha segmentet dhe poret e jetës sonë, në jetën e zakonshme, në shkencë, kulturë, politikë e kështu me radhë”, deklaroi Taki Fiti, ASHAM.

Ministrja e Kulturës, Elizabeta Kancevska -Milevska theksoi se të gjithë popujt në Maqedoni janë trashëgimtar të Nënë Terezës dhe duhet ndjekur shembullin e saj për t’u bërë njerëz më të mirë.

“Sot lirisht mund të themi se të gjithë ne jemi trashëgimtarë krenar të Nënë Terëzës dhe kemi detyrë historike që ta vazhdojmë veprën e saj, misionin e saj për paqe dhe dashuri për vendin dhe barazi në mes popujve në mbarë botën”, deklaroi ministrja e Kulturës, Elizabeta Kançevska-Milevska.

Ndërkaq, Anton Sereçi, studiues i jetës dhe veprës së Nënë Terezës ka shfaqur revoltën e tij që edhe pas kanonizimit të saj si e shenjtë nga Vatikani, në Maqedoni shfaqen akoma dilema se kush ishte Nënë Tereza. Vetë Papa Francesku gjatë ceremonisë së shenjtërimit e potencoi prejardhjen e saj etnike.

“Kur vij nga Vatikani dhe dëgjoj fjalët që u thanë në gjuhën shqipe, thanë se Nënë Tereza është Gonxhe Agneze Bojaxhiu, e lindur në Shkup në familje shqiptare. Vetë Papa Francesku i thotë ato fjalë. Dhe vij këtu në Akademinë e Shkencave të Maqedonisë, i dëgjoj personat të cilët nuk dinë as vetë për atë se kush është Nënë Tereza, çfarë ka qenë dhe çfarë ka bërë dhe e potencojnë tërë kohën Nënë Tereza shkupjania. Përkatësia kombëtare askund nuk përmendet askund nuk përmendet sepse ajo i takon mbi të gjitha botës, por të gjithë e din se ajo është shqiptare, këtë nuk e konteston askush. Vetëm në këtë shtet ku jetojmë mjerisht merremi me ato gjëra t’i shtrembërojmë gjërat, jo vetëm rastin e Nënë Terezës por edhe shumë gjëra të tjera”, deklaroi Anton Sereçi, studiues i Jetës dhe Veprës së Nënë Terezës.

Vetë Nënë Tereza në deklaratën e saj të dhënë për mediat globale pat thënë: “Me gjak jam shqiptare, Me shtetësi jam indiane, Nga besimi jam murgeshë katolike, Nga thirrja i përkas botës, Me zemër i përkas plotësisht Zemrës së Krishtit!

Sipas Sereçit, as në Muzeun e Nënë Terezës në Shkup nuk ka të punësuar asnjë shqiptar ,ndërsa, ato të punësuar që janë maqedonas dhe serb, nuk thonë asnjëherë se Nënë Tereza ka prejardhje shqiptare. Por për këtë ai akuzon partitë politike shqiptare që lejojnë të ndodhin këto lëshime në sy të tyre. Në akademinë e sotme përkujtimore të ASHAM-it kushtuar figurës së Nënë Terezës, nuk pati asnjë politikan shqiptar, as nga pushteti e as nga opozita. Alsat kërkoi sqarim nga BDI se a kanë pasur ftesë apo jo për pjesëmarrje në këtë eveniment, por nuk morëm përgjigje.

comments powered by Disqus

038 249 105     [email protected]    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

Ec me kohën...