Foto: Koha

Ymeri “arsyeton” injorimin që i bëri përfaqësueses së Kosovës

6 Shtator 2016 - 12:15      

Kreu i Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri, si duket është ndjerë në faj për postimin e tij të mbrëmshëm ku ai përshëndeti Kombëtaren shqiptare të Futbollit dhe i uroi suksese kundër Maqedonisë, por nuk mori mundin që të shkruante as edhe një fjalë për përfaqësuesen e Kosovës, e cila dje debutoi në garat ndërkombëtare.

Ymeri, në postimin e sotëm, ka vazhduar ta proklamojë idenë e të pasit vetëm një kombëtare shqiptare, duke thënë se “ideja provinciale e pavarësisë së Kosovës si pavarësi nga Shqipëria është shërbimi më i mirë që mund t’i bëhet Serbisë”.

“Më mirë një fitore sesa dy barazime. Shqiptarët duhet ta kenë një kombëtare të përbashkët edhe në sport. Ideja provinciale e pavarësisë së Kosovës si pavarësi nga Shqipëria është shërbimi më i mirë që mund t’i bëhet Serbisë. Dikur Gjermania lindore fitonte trofe e medalje shpeshherë edhe më shumë sesa Gjermania perëndimore nëpër garat sportive. Mirëpo, dy Gjermanitë kurrë nuk e braktisën synimin e bashkimit dhe e realizuan atë. Le të mos përpiqemi të bëhemi më të mençur sesa gjermanët”, ka thënë Ymeri, raporton Koha.net.

“Në futboll ishim bashkë. Dhe bashkë korrnim fitore. Në vend se të bashkohemi aty ku jemi të ndarë, ne po ndahemi aty ku ishim bashkë”, ka përfunduar kreu i Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri.

Mbrëmë, Ymeri, në profilin e tij në Facebook, i dëshiroi suksese kombëtares së Shqipërisë, duke anashkaluar në tërësi paraqitjen e Kosovës, e cila luajti baras kundër Finlandës në ndeshjen e parë zyrtare të organizuar nga FIFA e UEFA që nga pranimi në këto organizma.

“Sot Kombëtarja fillon rrugëtimin drejt Botërorit 2018. Kombëtarja e bashkimit, ajo që then kufijtë, dinjitozja e fitoreve, ajo që na e dëshmon se dobësinë nuk e kemi as natyrë e as kulturë, por vetëm politikë të dëmshme. Që na e dëshmon se të ndarë as nuk jemi më mirë, e as nuk mund të jemi më mirë. Përpara Shqipëri”, tha dje Ymeri.

Ndaj këtij postimi pati shumë reagime në opinion, e madje pati edhe të aktivistë e anëtarë të Vetëvendosjes që i komentuan vetë Ymerit e që kritikuan qasjen e tij.  

comments powered by Disqus

038 249 105     [email protected]    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

Ec me kohën...