BE do të mbështesë infrastrukturën në vendet e Ballkanit

5 Shtator 2016 - 15:22      

Tiranë, 5 shtator - Ministri në detyrë i Transportit dhe Infrastrukturës, Edmond Haxhinasto, zhvilloi sot një takim me eurokomisioneren e Transportit, Violeta Bulc dhe ministrin e Transporteve të Malit të Zi, Ivan Brajovic. Takimi u zhvillua në pikën kufitare të Hanit të Hotit.

Burimet zyrtare nga Ministria e Transportit bënë të ditur se eurokomisionerja e Transportit Bulc e lidhi vizitën e saj të parë në vendin tonë me mesazhin që Bashkimi Europian ka për vendet e Ballkanit. “Jam e gëzuar që jam në këtë pikë kufitare, sepse lidhet me mesazhin e qartë të Bashkimit Europian, se Ballkani ka rëndësi”, tha ajo.

Eurokomisionerja theksoi në fjalën e saj se BE do të mbështesë vendet e Ballkanit jo vetëm sa i takon integrimit politik, por edhe infrastrukturor. “Synojmë integrimin e Ballkanit Perëndimor në një rrjet infrastrukturor europian e që do t’i shërbejë krijimit të një tregu të përbashkët europian”, tha Bulc. Eurokomisionerja tha se Bashkimi Europian do të japë 40 milionë euro për infrastrukturën në Ballkan

“Është shumë e rëndësishme për stabilitetin dhe rritjen ekonomike të rajonit që të kemi një transport të mirë. Shqipëria dhe Mali i Zi po japin shembullin e mirë të bashkëpunimit rajonal. Shpresoj që në të ardhmen të kemi bashkëpunim edhe më të ngushtë në mënyrë që të materializohen projektet tuaja në terma konkret financiar”, deklaroi Bulc.

Bulc informoi se në muajin tetor do të organizohet një takim në Bruksel për tu koordinuar, pasi është arritur angazhimi politik dhe i projekteve, por duhet shpërndarje.

Ndërsa ministri i Transportit dhe Infrastrukturës, Haxhinasto theksoi se është vlerësuar progresi që Shqipëria ka bërë në disa projekte. Sipas tij, një nga projektet e rëndësishme është ai i hekurudhës Tiranë-Rinas-Durrës, që ka marrë edhe mbështetje financiare nga BERZH. “Qëllimi i këtyre projekteve është forcimi i ekonomive mes vendeve të rajonit dhe më pas në Bashkimin Europian”, deklaroi ai.

Gjatë takimit të zhvilluar në pikën kufitare të Hanit të Hotit palët panë edhe infrastrukturën e vendosur në këtë pikë kufitare.

I pyetur në lidhje me dorëheqjen, Haxhinasto tha se nuk ka asnjë arsye tjetër përveç atyre që lidhen me angazhimin e tij në parti. 

comments powered by Disqus

038 249 105     [email protected]    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

Ec me kohën...