VV me fotografi “dekonspiron” fushatën e RTK-së kundër aktivistëve të vetë

5 Shtator 2016 - 13:27      

Prokuroria dhe policia po duan ta lidhin Vetëvendosjen me terrorizmin edhe pa pasur asnjë provë sepse kështu mund të kenë qasje të plotë në komunikim. Për t’i akuzuar padrejtësisht aktivistët e Lëvizjes dhe për t’i quajtur ata terroristë, Policia ka mbajtur dy konferenca për shtyp, disa komunikata dhe ka ekspozuar armë që nuk janë fare të aktivistëve.

 

Këto dhe deklarata të tjera u paraqitën në një konferencë për shtyp nga Sekretari Organizativ i Lëvizjes Vetëvendosje, Dardan Molliqaj.

Molliqaj tha se në Kosovë po zhvillohet betejë mes dy grupeve, “klanit Pronto” që tha se kanë kapur institucionet e varfëruar qytetarët dhe qytetarëve e opozitës. Ai tha që “klani Pronto” me gjitha veprimet e tij e do shkatërrimin e të vetmes opozitë të mirëfilltë në Kosovë, Lëvizjes Vetëvendosje.

Ai përmendi rastin e të akuzuarit dhe të dënuarit për terrorizëm, serbit Slobodan Gavriq, i cili u kap me 13 kg eksplozivë, por gjithçka rreth këtij rasti kishte kaluar në heshtje.

“Ju e dini, këtë vit është arrestuar një qytetar, i cili quhet Slobodan Gavriq, i cili poashu është akuzuar për terrorizëm dhe i është konfiskuar një sasi e madhe eksplozivë, dhe ju e dini se ato kilogramë eksplozivë asnjëherë nuk janë ekspozuar. Vetura me të cilën është arrestuar asnjëherë nuk është ekspozuar. Asnjë konferencë për shtyp nga Policia e Kosovës dhe asnjë veprim të vetëm të kësaj policie për këtë rast, i cili tashmë ka marrë edhe një vendim të gjykatës, ku është shpallur fajtor për rastin”, theksoi Molliqaj.

Më tej, ai shtoi se kjo luftë speciale dhe ky krim i organizuar vjen nga lidhja e ngushtë mes “klanit Pronto”, policisë dhe prokurorisë, si dhe mediave që pushteti i ka nën kontroll. Sekretari Molliqaj po ashtu prezantoi fotografi që, sipas tij, dëshmojnë për lidhjet e ngushta familjare e partiake mes “klanit Pronto” dhe punonjësve e zyrtarëve të lartë të këtyre institucioneve.

“Ky është Luan Keka, i cili është në Drejtorinë e antiterrorizmit në Policinë e Kosovës, i cili vjen nga Gjilani, dhe i cili ka qenë udhëheqës i aksionit të arrestimit të 6 aktivistëve të Vetëvendosjes, të cilët i ka akuzuar për terrorizëm”, tha Molliqaj, duke iu referuar njërës prej fotografive, ku ai shihej me gruan – Miranda Keka, gazetarin e RTK-së - Asdren Agushin, dhe kryeredaktorin e RTK 3 - Ridvan Berisha.

Gjatë prezantimit të këtyre fotografive, u tregua edhe që gruaja e Kekës ka qenë kandidate e PDK-së për deputete në zgjedhjet e fundit, si dhe u paraqitën fotografi të Ridvan Berishës dhe Asdren Agushit të RTK-së, në ndeja me Shefin e Grupit Parlamentar të PDK-së, Zenun Pajazitin.

Molliqaj përmendi edhe rastin e gazetarit të RTK-së, Zejdush Kastrati, i cili në përgjimet e publikuara nga gazeta online “Insajderi”, dëgjohet tek ofendon opozitën dhe thur lavde për Adem Grabovcin dhe PDK-në, duke shprehur shqetësimin për heshtjen dhe mosveprimin e menaxhmentit të RTK-së.

Në fund, Molliqaj ftoi mediat dhe organizatat e ndryshme që të shohin më shumë rreth këtyre shkeljeve ndaj Vetëvendosjes, që, siç tha ai, “paraqesin rastin më flagrant nga Policia e Kosovës ndaj subjektit tonë”.

comments powered by Disqus

038 249 105     [email protected]    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

Ec me kohën...