5 Shtator 2016 - 11:22
Sipas Kosovapress, me ardhjen e Agron Mustafës në pozitën e kryeshefit ekzekutiv të PTK-së, të hyrat nga interesi bankar, të fituara gjatë periudhës janar-dhjetor 2015, kanë rënë në 224 mijë euro nga 525 mijë euro sa ishin në vitin 2014.
Kjo për arsye se norma e interesit të depozitave prej 4.3 për qind ka zbritur në 1.3 për qind. Kështu thuhet në raportin e vitit 2015. Analistët deklarojnë se bordi i PTK-së, duhet të kërkojë llogari, sepse nga mjetet e PTK-së po fitojnë bankat dhe po humb PTK-ja.
Bazuar në raportin financiar të Valës dhe Telekomit të vitit 2015, të cilën e ka siguruar KosovaPress, ka rënie të madhe nga të hyrat prej depozitave.
“Depozitat bankare mirëmbahen në të gjitha bankat në Kosovë. Nuk ka llogari rrjedhëse në bankat e huaja. Norma efektive e interesit e fituar nga depozitat bankare në vitin 2015, është 1.30 për qind, ndërsa, në vitin 2014 ishin nga 2.0 për qind deri në 4.1 për qind. Të hyrat nga interesi të fituara gjatë periudhës janar-dhjetor 2015, arrin shumën prej 224 mijë euro nga 525 mijë euro sa ishte në vitin 2014.”, thuhet në raportin e vitit 2015.
Për këtë humbje të depozitave duhet të japin llogari dhe të dihet se kush e ka shkaktuar këtë humbje, menaxhmenti apo Bordi i korporatës. Kështu tha për KP, Arton Demhasaj, drejtor ekzekutiv nga Organizata Joqeveritare “Çohu”.
“Këtë duhet me parë se kush është dhe prej kujt është marrë vendimi. Nëse është marrë vendimi prej drejtorit ekzekutiv, Bordi i PTK-së duhet të kërkojçë llogari prej drejtorit, më pas Qeveria, si pronare e PTK-së, duhet të kërkojë llogari edhe prej Bordit të Postës se pse ka ndodhur diçka e tillë, sepse ne jetojmë këtu dhe të japësh para depozita me një normë të tillë të interesit, shihet që nuk ka kurrfarë përfitimi po vetëm në dëm shkon, kështu që ata persona që e kanë nënshkruar dhe kanë vazhduar një marrëveshje të tillë me këtë normë, ata duhet të japin përgjegjësi para institucioneve”, tha Demhasaj.
Ai po ashtu ka shtuar se PTK është në një situatë ku me negociata me banka kishte mundur ta rrisë normën e interesit në depozita. Nga normat e depozitave, PTK do të mund të realizonte një të hyrë të mirë, por në këtë rast nuk ka ndodhur.
“PTK ka dhënëpara, i ka depozituar nëpër banka për shkak se ka pasur një fitim të madh atyre, i kanë siguruar edhe një të hyrë tjetër për PTK-në ekstra nga ana e depozitave që i ka pasur në banka dhe ka qenë shumë në rregull. Mirëpo të bie norma e interesit të depozitave prej 4.3 për qind në 1.3 për qind, që i bie diku 300 për qind zbritje, konsideroj që është shumë ... Përpos kësaj kjo nuk i siguron kurrfarë fitimi, në njëfarë mënyre vetëm ia bllokon paratë postës dhe ia prish planet financiare dhe nuk i jap kurrfarë të hyre. Sepse me 1.3 për qind vetëm i kryen shërbim bankave private që parat që i marrin nga PTK me 1.3 për qind, japin kredi me vlera mbi 6 për qind me normë efektive të interesit ... Nëse bankat nuk i kanë dhënë mundësi PTK-së me normë më të madhe të interesit, atëherë PTK është dashur ta prish marrëveshjen dhe nuk është dashur të japë depozita të tilla me një normë kaq të ulët të interesit“, tha Demhasaj.
Ndërsa, në përgjithësi situatën e sheh ndryshe, Blerim Grainca, anëtar i Komisionit Parlamentar për Zhvillim Ekonomik. Ai thotë se ulja e normave të depozitave vjen si pasojë e mungesës së tregut më të madh të sistemit bankar.
“Nuk mund të thuhet se është e mirë apo e keqe, derisa kemi një ekonomi të tregut dhe qytetarët apo kompania vendos vetvetiu se a do të deponojë depozitat në bankë apo jo. Për arsye se tek bankat është grumbulluar një sasi e mëdha e kapitalit, i cili nuk nxirret në treg. Kjo iu krijon bankave mundësi të mëdha fitimi dhe kanë hapësira të mjaftueshme që margjinën e fitimit ta ulin. Aty nuk ka emocione, bankat punojnë për të fituar“, tha Grainca.
Besnik Kada, zëdhënës i BQK-së, thotë se profiti i bankave deri në qershor të këtij viti ka arritur vlerën në 37.7 milionë euro.
“Norma mesatare e interesit në depozita në korrik 2016, ishte 1.26% ka një rritje të theksuar, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë e cila ishte 0.83% në korrik 2015. Profiti i bankave deri në qershor 2016, ka arritur vlerën 37.7 milionë euro, apo krahasuar me një vit më parë kemi një rënie të theksuar prej 7.2 milionë. Të dhënat tregojnë se në vitin e kaluar në tremujorin e dytë apo muajin qershor 2015, profiti i bankave kapte shumën e 44.9 milionë euro.”, tha Kada, përmes përgjigjeve elektronike.
Ministria e Zhvillimit Ekonomik, gjegjësisht njësia për monitorimin e Ndërmarrjeve Publike nuk kanë kthyer përgjigje në pyetjet se a kanë kërkuar raport shtesë për rënien e normave të interesit nga Bordi i PTK-së.
Dikur PTK, kishte fitime vjetore qindra miliona euro, ndërsa, vitin e kaluar kishte të hyra në vlerë prej 84 milionë euro.
Posta dhe Telekomi i Kosovës (PTK), dikur kompania më profitabile në vend, me mbi 2 mijë të punësuar, po përballet me rënie drastike të të hyrave. Bazuar në raportin vjetor të vitit 2015, kompania ka vazhduar më rënie, rreth 20 milionë euro më pak se në vitin 2014. Nga 104 milionë euro të planifikuara pas rishikimit, Telekomi ka realizuar 84.3 milionë euro, apo 20% më pak.
Fitimi i PTK-së edhe përkundër rënieve, në vitin 2012, ka qenë 38 milionë euro, ndërsa, në vitin 2015-të, ka rënë në 6 milionë euro. Vetëm dividenta e PTK-së për Qeverinë e Kosovës për vitin 2013-të, ka qenë 40 milionë euro.
Sipas raportit të Auditimit të siguruar nga KosovaPress, e cila është miratuar nga Bordi, rëniet e Telekomit të Kosovës kanë vazhduar me një ritëm edhe më të madh pas ardhjes së Agron Mustafës, ndërkohë shpenzimet operative janë rritur për disa miliona.
Qeveria ka dështuar dy herë radhazi ta privatizojë këtë kompani. Oferta e fundit për këtë aset ka qenë 277 milionë euro por që kishte dështuar si proces.
Emërimi i Agron Mustafës në pozitën e kryeshefit ekzekutiv të Telekomit të Kosovës ishte kritikuar ashpër nga kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa.
Por më vonë, ai i kishte tërhequr këto deklarata gjatë një vizite të bërë në Telekomin e Kosovës.
Sipas një marrëveshje paraprake në mes të koalicionit qeveritar, kompanitë publike janë ndarë në mes të PDK-së dhe LDK-së, dhe të tjerëve.
Telekomi i Kosovës dhe Posta e Kosovës po menaxhohen nga persona që me shumicë, në bordet e këtyre kompanive janë nga Partia Demokratike e Kosovës.

17 Shkurt 2017 - 00:15
16 Shkurt 2017 - 23:49
16 Shkurt 2017 - 23:41
16 Shkurt 2017 - 23:18
16 Shkurt 2017 - 23:17
Ec me kohën...