Foto: Ilustrim

Ligjërata fetare nëpër burgje kundër radikalizmit

4 Shtator 2016 - 12:57      

Dyzet persona që janë dënuar për terrorizëm dhe po qëndrojnë nëpër burgjet e Kosovës, po shihen si rrezik për të ndikuar te të burgosurit tjerë dhe rrezik për t’u bashkuar në grupe pas përfundimit të dënimit, por në Shërbimin Korrektues e mohojnë një rrezik të tillë, duke thënë se nuk është vërejtur ndonjë tentim për radikalizëm.

Ka edhe të atillë që mendojnë se çështja e radikalizmit në Kosovë është rritur tej mase për shkak të pafuqisë për ta luftuar korrupsionin.

Ministri i Punëve të Brendshme, Skender Hyseni, kohë më parë ka thënë se gjendja me radikalizmin në vend është përmirësuar dukshëm, mirëpo, problem përbën përhapja e radikalizmit nëpër burgjet e Kosovës nga të dënuarit për të terrorizëm.

Hyseni gjithash patë thënë se tashmë janë 40 të dënuar për çështje të radikalizmit dhe duhet të punohet që ata t’i ri-integrohen dhe jo të radikalizojnë edhe të burgosurit e tjerë.

Por ndryshe thotë Drejtori i Përgjithshëm i Shërbimeve Korrektuese të Kosovës, Sokol Zogaj. Ai ka mohuar të ketë radikalizëm nëpër burgje, duke thënë se falë angazhimit të tyre kanë arrit që të krijojnë një ambient të sigurt për të burgosurit dhe stafin që punojnë institucionet korrektues.

“Nuk ka radikalizim. Ne i kemi marrë të gjitha masat e sigurisë, edhe brendapërbrenda institucioneve, mirëpo, për hir të një sigurie më të madhe, ne kemi raporte shumë të mira edhe me Policinë. Kemi angazhuar policë edhe në burgun e sigurisë së lartë, edhe në Dubravë, në mënyrë që Policia të interesohet rreth sigurimit të jashtëm të burgjeve, që në këtë drejtim na ka ndihmuar shumë. Njësitet speciale në vazhdimësi e vëzhgojnë situatën dhe çka është me rëndësi, ne kemi komunikim të vazhdueshëm me këtë numër të burgosurve. Kur them të burgosurve, mendoj edhe të paraburgosurve të dënuar dhe mund të them që nuk kanë dhënë shenja të radikalizmit, ata kanë sjellje shumë të mira, e respektojnë rendin shtëpiak dhe janë mbetur disa programe që të punojmë me ta”, tha Zogaj.

Zogaj gjithashtu tha për KosovaPress se kanë diskutuar edhe me kryeimamin e BIK-ut që të arrijnë një marrëveshje mirëkuptimi, në mënyrë që përfaqësues të BIK-ut të mbajnë ligjërata nëpër burgje.

“Një iniciativë, e cila mendoj se është e rëndësishme, është se kemi biseduar edhe me krye-imamin e BIK-ut që të bëjmë një marrëveshje mirëkuptimi me ta në mënyrë që ata të vijnë të mbajnë ligjërata nëpër institucione, t’i caktojnë imamët të cilët ndikojnë pozitivisht në burgje, mandej për literaturën që është folur shumë se çfarë literature duhet, dhe ne kemi kërkuar nga ata që me shkrimin e tyre të na propozojnë një numër të teksteve fetare që ndikojnë pozitivisht në të burgosurit që i kemi brenda. Unë mendoj që ajo është në finalizim e sipër dhe do të nënshkruhet shumë shpejt. Numri i saktë i tyre është diku rreth 40”,tha Zogaj.

Kryetari i Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KLMDNJ), Bexhet Shala tha se kjo çështje është rritur jashtë mase në Kosovë dhe vjen si pasojë e pamundësisë që të luftohet korrupsioni, krimi, kontrabanda e krimet e tjera.

“Çështja e radikalizmit në Kosovë është rritur jashtë përmasave që paraqet rrezik. Kosova në pamundësi që të luftojë korrupsionin, krimin e organizuar, kontrabandën, krimet politike, ekonomike, tash krejt fokusin e ka përqendruar tek luftimi i radikalizmit dhe në këtë mënyrë po përpiqet të fitojë poenë në vend që të merret më tepër me mirëqenën e qytetarëve. Tash prej të gjitha shteteve evropiane ka më shumë që kanë shkuar në Siri, ato shtete që janë të forta në aspektin e respektimit të ligjit dhe zbatimit të ligjit, ndërkaq këtu e kanë fyer jashtëzakonisht shumë, madje e kanë kryer punën e radikalizmit jashtë burgjeve, tash edhe nëpër burgje, thuajse të burgosurit nuk merren me asgjë pos me radikalizëm fetar”, tha Shala.

Shala shtoi se në burg është mundësia shumë më e vogël për ta ushtruar një ndikim qysh dikush po supozon sepse atje të burgosurit janë nën kontroll dhe është shumë më vështirë se sa që është jashtë.

Ndërsa, eksperti i sigurisë, Burim Ramadani tha se radikalizmi nëpër burgje është një proces i cili gjithmonë vendos një rrezik të madh.

“Tashmë veç është raportuar për një numër të njerëzve që kanë vazhduar radikalizmin nëpër burgje edhe në Dubravë por edhe në raste të tjera dhe të njëjtën kohë, ekziston gjithmonë rreziku që ajo ideologji ekstremiste të përcillet edhe tek personat të tjerë të cilët nuk kanë qenë të radikalizuar në kohën kur kanë qenë në burgje. Mos të harrojmë që zakonisht nëpër ideologji të tilla ekstremiste të cilësdo natyrë qofshin por edhe të ekstremizmit të dhunshëm në interpretime fetare, është shumë e lehtë që të radikalizohen njerëzit që kanë precedent penal, pra, ata që kanë bërë vepra të këqija më herët dhe me qëllim që t’i fshijnë ato ose t’i lajnë gjynahet apo mëkatet e tyre, tentojnë që të kthehen apo kanë hapësirë më shumë apo potencial që të kthehen kah radikalizmi”, tha Ramadani.

Ramadani gjithashtu tha për KosovaPress se për vitet e ardhshme është një rrezik serioz që ata pasi të dalin nga burgu të zgjerohen nëpër grupe. 

comments powered by Disqus

038 249 105     [email protected]    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

Ec me kohën...