Rita Ora, në koncertin për nder të shenjtërimit të Nënës Terezë, flet shqip

3 Shtator 2016 - 19:59      

Bazilika e Shën Palit, në Vatikan, nuk ka pritur asnjëherë më shumë shqiptarë sesa sonte.

Në koncertin që ka nisur nga ora 19:30, një organizim i Kishës Katolike të Kosovës, janë të pranishëm të gjithë anëtarët e Filarmonisë së Kosovës, përcjell nga emrat më të njohur shqiptarë të artit dhe sportit në botë.

Në fjalën e saj para të pranishmëve, ylli kosovar Rita Ora foli shqip:

“Zonja dhe zotërinj, motra dhe vëllezër, mirëmbrëma”.

Pjesën tjetër, një dedikim Nënës Terezë, Rita e bëri në anglisht, ndërsa përkthimin e bëri ish-kapiteni i Kombëtares shqiptare, Lorik Cana.

Koncertin janë duke e përcjellë edhe personalitetet më të larta të institucioneve nga Kosova dhe Shqipëria.

Në fjalën e tij hyrëse, imzot Dodë Gjergji, Ipeshkëv i Kosovës, dha një historik poetik për jetën dhe veprimtarinë e Nënë Terezës.

Nesër, Nënë Tereza do të kthehet zyrtarisht në shenjtore, pikërisht në 19-vjetorin e vdekjes së saj. Nënë Tereza është e njohur kudo në botë si një nga gratë më humaniste, e cila ndihmoi në shërimin e fëmijëve të sëmurë dhe atyre që kanë pasur nevojë për ndihmë.

Në vijim po ju paraqesim edhe programin e plotë të këtij koncerti:

Në koncert do të dëgjohet edhe himni i Nënë Terezës “Valsi Hyjnor” me muzikë të Lorenc Antonit e me vargjet e poezisë “Lamtumirë” të shkruar nga Nënë Tereza gjatë udhëtimit të saj nga Irlanda në Kalkutë. Himni do të këndohet nga soprano Inva Mula e shoqëruar nga Filarmonia dhe kori i Kosovës me orkestrant nga Shqipëria e Maqedonia.

Pjesëmarrës në këtë aktivitetet do të jenë emra të njohur të muzikës botërore si këngëtarja me origjinë nga Kosova, Rita Ora, sopranot e famshme, Inva Mula, Ermonela Jaho.

Ndërkohë, Rita Ora do të këndojë së bashku me tenorin Saimir Pirgu këngën “What Child is This”. Nga ana tjetër, këngëtarja Ermonela Jaho do të këndojë himin “Panis Angelicus” (Bukë për engjëjt), një liturgji e shkruar nga Shën Tomazo d’Aquino.

I pranishëm në këtë koncert është edhe ish-kapiteni i Kombëtares shqiptare të futbollit, Lorik Cana, i cili mbajti fjalën hapëse së bashku me këngëtaren Rita Ora në gjuhën shqipe.

Në koncert nuk mungon as Presidenti Republikës, Bujar Nishani; Kryeministri Edi Rama; kreu i Kuvendit Ilir Meta, si dhe ish-Kryeministri Berisha.

comments powered by Disqus

038 249 105     [email protected]    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

Ec me kohën...