
3 Shtator 2016 - 19:14
Protesta ishte thirrur nga dy qytetare, Jeta Berisha dhe Fatbardhë Kiqina, të cilat kanë thënë se “është e patolerueshme për ne që, një njeri, i cili e ka shpallur haptazi urrejtjen ndaj një populli tjetër, të kandidohet në postin e njeriut që supozohet ta ruajë paqen në botë”, raporton KTV.
Po ashtu, ato kanë lexuar një letër, e cila do t’i dërgohet Organizatës së Kombeve të Bashkuara, si protestë ndaj kandidimit të Vuk Jeremiqit për të ardhur në krye të kësaj organizate.
Protestuesit kanë këmbëngulur në faktin që Serbia nuk e ka pranuar fajësinë dhe nuk ka kërkuar falje për krimet e kryera nga ushtria e saj në Kosovë.
Pjesë e protestës kanë qenë edhe nënat dhe të afërmit e të rrëmbyerve gjatë luftës nga ushtria serbe e që ende nuk janë gjetur.
Nysrete Kumnova bëri thirrje në emër të tyre që të mos votohet kandidatura e Jeremiqit për sekretar të OKB-së.
Kësaj proteste i janë bashkuar edhe disa deputetë të PDK-së, LDK-së dhe të Vetëvendosjes, aktivistë politikë, gazetarë dhe pjesëtarë të shoqërisë civile.
Deputeti i Vetëvendosjes, Mytaher Haskuka, tha se kandidatura e Jeremiqit do të duhej të kundërshtohej zyrtarisht edhe nga institucionet shtetërore të Kosovës.
Kurse, për juristen Gjyljeta Mushkolaj, kandidimi i Jeremiqit për t’u bërë sekretar i OKB-së është absurd, kur kihet parasysh e kaluara e tij dhe sjellja që ai ka treguar ndaj vetë kësaj organizate.
Vuk Jeremiq ka qenë ministër i Jashtëm i Serbisë në Qeverinë e Ivica Daçiqit, ndërsa kur ishte kryesues i Asamblesë së OKB-së, ai pati bërë skandal kur një kor serb pati kënduar në selinë e OKB-së këngën “Le të marshojmë mbi Dri”, me të cilën ushtria serbe kishte vrarë dhe dhunuar boshnjakë, kroatë dhe shqiptarë gjatë luftërave në Jugosllavi.
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
17 Shkurt 2017 - 00:15
16 Shkurt 2017 - 23:49
16 Shkurt 2017 - 23:41
16 Shkurt 2017 - 23:18
16 Shkurt 2017 - 23:17
Ec me kohën...