LDK falënderon Policinë që “parandaloi gjakderdhjen”

3 Shtator 2016 - 16:50      

Lidhja Demokratike e Kosovës përmes një komunikate për media është marrë sërish me gjetjet që Policia tha se i gjeti në zyrat që menaxhohen nga Vetëvendosje.

“Në emër të Degëve të LDK-së të Prishtinës, anëtarësisë sonë të shumtë, shprehim indinjatën tonë të thellë dhe dënojmë ashpër tendencën dhe synimin e rrezikimit të jetës dhe pronës së qytetarëve të Prishtinës dhe të Kosovës, nga anëtarë të VV, nga arsenali luftarak i gjetur para disa ditësh dhe ajo qe u gjet në depon mund të thuhet lirisht ushtarake të VV-së që dje u prezantua para mediave nga ana e Policisë së Kosovës. Përgëzojmë policinë e Kosovës për punën e bërë dhe për pengimin, preventivën, parandalimin e gjakderdhjes”, ka thënë LDK në komunikatën e saj.

LDK shtron pyetjen se kush po iu beson me “mbrojtësve” anarkistë dhe më shumë se kaq, të Republikës së Kosovës, pothuajse askush.
“Këtu përjashtim mund të bëjnë dhe ndoshta jo të gjithë ata, militantët që po i punësojnë dhe paguajnë në Komunën e Prishtinës, se janë pak që ju besojnë, u pa të enjten në protestën e dështuar, me një numër simbolik të protestuesve. Nuk ‘mbrohet’ Republika duke e djegur, duke mos e njohur atë”, thuhet në reagimin e LDK-së.

Kaptinë e veçantë në tërë këto zhvillime, sipas LDK-së, veprime anarkiste, antishtetërore që po bënë kjo parti e kriminalizuar, janë krerët e Prishtinës. “Në vend që të punojnë për Prishtinën, për çka janë votuar Shpendi dhe Dardani, pa fije turpi, vazhdojnë me demagogji, me gënjeshtra. Nuk ‘shiten’ me ato, ju ka dal fala thotë populli. Ata vazhdojnë të janë në mbrojtje të atyre që me muaj të tërë po sulmojnë dhe djegin Institucionet e vendit, pronën private dhe publike, po rrezikojnë jetën e qytetarëve, në një mënyre po terrorizojnë Prishtinën dhe qytetarët e saj”, thuhet në reagim. “Shtrohet pyetja, për çka u arrestuan nga policia e Kosovës asambleistët e VV në Kuvendin Komunal të Prishtinës, Sadri Ramabaja dhe Qëndron Kastrati, dyshimet janë se ishin asambleiste-militant me shishe molotovi, përgjigjen për këtë duhet ta japin organet kompetente”, thuhet në reagim.

“Ju bëjmë me dije edhe njëherë juve që ju ka verbuar lufta për pushtet, një kohë bukur të gjatë, lufte kjo jo politike, jo demokratike dhe kundërshtetërore, se pushteti fitohet me vota, jo me dhunë, jo me molotov, jo me synim për gjakderdhje. Ju tanimë nuk jeni vetëm anarkistë, jeni më shumë se kaq, jeni shndërruar në tentues të shkatërrimit të Shtetit, Republikës, në tentues të shkatërrimit të asaj që me mund e gjak kanë arritur qytetarët e Kosovës, Republika e Kosovës”, thuhet në reagimin e LDK-së.

LDK i ka thënë LVV-së se “nuk mund ta shkatërroni atë që është ndërtuar dhe po ndërtohet nga qytetarët dhe Institucionet e Kosovës”.

“Sepse janë qytetarët e Kosovës që nuk ju përkrahin juve, dhuneën tuaj, synimet tuaja. Ju nuk do të mund t’i largoni nga ne miqtë tanë, SHBA-të dhe shtetet e BE-së. Për Lidhjen Demokratike të Kosovës prej themelimit të saj, tani dhe ne të ardhmen janë këta miq që kemi, qytetarët e Kosovës dhe Shteti ynë i ka këta miq dhe përkrahës, një gjë e dimë nuk i kemi miq dhe përkrahës Rusinë dhe neokomunistët... Shtrohet pyetja kush janë miqtë tuaj?... këtë më së miri ju e dini...”, thuhet në reagimin e LDK-së.

“Falënderim dhe mirënjohje e veçantë ju takon qytetarëve të Prishtinës në veçanti dhe Kosovës në përgjithësi për nivelin e tyre të lartë të përgjegjësisë qytetare, vigjilencës, syqeltërsisë, qetësisë dhe vullnetit të lartë për ruajtjen e jetës së qytetarëve, pronës së qytetarëve dhe Institucioneve, duke mos iu bashkangjitur protestuesve,veçmas asaj pjese qe kishin qenë të gatshëm, të pajisur dhe furnizuar, por fatbardhësisht të parandaluar nga organet e rendit, për rrezikim të jetës së qytetarëve dhe dëmtim të pronës shtetërore dhe private. Të vazhdojmë që së bashku me organet kompetente, secili me punën e vet, kontributin e vet, ta ruajmë dhe mbrojmë Kryeqytetin tonë, Prishtinën tonë dhe Republikën e Kosovës nga shkelësit e ligjit”.

comments powered by Disqus

038 249 105     [email protected]    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

Ec me kohën...