Hekurudhat e Kosovës shtrihen në 333 kilometra, shumica jashtë funksionit

3 Shtator 2016 - 12:42      

Hekurudhat e Kosovës kanë një shtrirje në gjatësi prej 333 kilometra, por funksionale në Kosovë janë vetëm linjat Fushë Kosovë-Pejë dhe Fushë Kosovë – Hani i Elezit. Transporti i udhëtarëve, është një transport që nuk është profitabil.

Brenda tri viteve do të përfundojnë punimet e linjës kryesore e cila ndërlidhë hekurudhat e Kosovës me rajonin dhe me Evropën, ka theksuar kështu kryeshefi ekzekutiv në Infrakos, Agron Thaçi në një intervistë për KosovaPress.

Segmentin Fushë Kosovë-Prishtinë, si linjë shumë e shkurtër afër 5 kilometra, është shumë herë gjatë ditës për t’i bartë punëtorët, studentët etj, që arrin numri i përgjithshëm përafërsisht 1 mijë persona në këtë destinacion.

Ndërsa, linja prej Fushë-Kosovës në Mitrovicë sipas Thaçit teknikisht është funksionale, mirëpo, për shkak të barrierave politike nuk është mundur që të funksionalizohet nga Infrakos.

Ndër hekurudhat tjera që janë jashtë funksionit është ajo për Podujevë dhe tjetra nga Xërxa në Prizren, mirëpo, Thaçi beson dhe pret që në afatin dy vjeçar të fillohet edhe rehabilitimi i kësaj linje në bashkëpunim me institucionet ndërkombëtare financiare. Ai pret që edhe në qytetet tjera si për Gjilan dhe Gjakovë që nuk ka fare hekurudhë në një të ardhme të afërt të fillohet me ndërtimin e këtyre linjave që janë me rëndësi për këto dy qytete. Po ashtu, ai tha se janë duke punuar që rrjeti hekurudhor të ndërlidhet edhe me atë të BE-së.

Infrakos ka fituar një grant prej 1.2 milion euro nga KE për ta hartuar projekt dizajnin për Podujevë, i cili sipas tij po fillon brenda pak ditëve.

Kështu sipas Thaçit do t’i vije radha për mundësi të investimeve edhe në jug të vendit, në pjesën e Prizrenit dhe pjesën tjetër nga Peja, por që këto janë projekte që do të vijnë më vonë, sepse ka edhe një listë prioritare të miratuar nga Këshilli nacional i Kosovës për investime në infrastrukturë.

Ndërsa, sipas kryeshefit ekzekutiv të hekurudhave për linjën kryesore Fushë Kosovë – Leshak, tanimë është siguruar buxheti prej mbi 80 milionë euro dhe kanë filluar fazat e përgatitjes. Thaçi thekson se nëse shkojnë punët ashtu siç janë planifikuar, në fillimin e vitit të ardhshëm do të fillohet edhe me punët në terren për rehabilitimin dhe modernizimin e kësaj linje.

Ai tha se brenda tri viteve do të përfundojnë punimet e linjës kryesore e cila ndërlidhë hekurudhat e Kosovës me rajonin dhe me Evropën.

“Ne jemi në proces, në fazën e përzgjedhjes së operatorit dhe pritet që deri në fund të këtij viti nëse nuk kemi ndonjë ngecje apo ndërprerje me arsye, ne mendojmë që deri në fund të vitit ta kemi edhe kompaninë fituese për ndërtimin përkatësisht rehabilitimin e kësaj linje… Është plotësisht transparent janë të përfshira institucionet përkatëse, siç është Qeveria e Kosovës, ministritë përkatëse, ndërmarrja Infraskos, Banka Evropiane për Rindërtim Zhvillim (BERZH) e cila është bartëse kryesor e krejt procesit të tenderimit dhe prokurimit dhe banka evropiane invetsive…Ne presim që në tre mujorin e parë të vitit të ardhshëm të fillohet me punën për restaurimin e hekurudhës”, theksoi ai.

E rëndësishme sipas tij është që po përmbyllin fazat e para investuese, fazat përgatitore dokumentacionin teknik projektues, dhe po bëhen përzgjedhjet e duhura. Ai shtoi se në garë janë dhjetë kompani të huaja.

comments powered by Disqus

038 249 105     [email protected]    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

Ec me kohën...